Ndërlidhjet

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni tregojnë për një rënie të lehtë të besimit të elektoratit në BDI-në e Ali Ahmetit. Kështu konsiderojnë analistët politikë. Duke komentuar rrethin e dytë zgjedhor për president shteti, analistët Jeton Shasivari dhe Fejzi Hajdari thonë se me rëndësi është që të ketë marrëveshje konkrete me ndonjërin nga kandidatët presidencialë, para se atyre t’u jepet mbështetje për në raundin e dytë.


Rezultatet që arritën partitë politike shqiptare në zgjedhjet lokale dhe presidenciale të 22 marsit, kanë qenë përafërsisht të pritura, vlerësojnë analistët politikë shqiptarë, duke konstatuar një rënie të besimit, por jo edhe aq të madhe, të elektoratit në partinë Bashkimin Demokratik për Integrim, që ka fituar të gjitha zgjidhjet që nga themelimi i saj në vitin 2002.

“Për mua rezultatet apo epilogu i zgjedhjeve, pak a shumë, ishte i pritur, me përjashtim të subjektit të ri politik, të cilin e nxori Imer Selmani, ndërsa, sa i përket rrethit të dytë zgjedhor, mendoj se shqiptarët duhet të jenë më vigjilentë dhe t’i bashkojnë votat, që të mund të fitojnë kandidatët shqiptarë në komunat ku dominon popullata shqiptare”, tha Fejzi Hajdari, botues i gazetës ‘Lajm’.

Edhe analisti Jeton Shasivari vëren se elektorati shqiptar ka filluar të ndryshojë bindjen politike, e kjo, sipas tij, vlen në qendrat më të mëdha të shqiptarëve, si në Tetovë dhe Gostivar.

“Në këto dy qendra politike shënohet rënia e përkrahjes politike për partinë shqiptare në pushtet, BDI, krahasuar edhe me zgjedhjet lokale të vitit 2005, sikur edhe me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008. Pra, bëhet fjalë për një profilim të ri të subjektit politik shqiptar në këto dy komuna që kanë peshën më të madhe në Maqedoni”, tha Jeton Shasivari.

Veç kësaj, me rëndësi të madhe, sipas analistëve, është qasja që do të kenë partitë shqiptare në rrethin e dytë zgjedhor, kur pritet të zgjidhet presidenti i ri.

Botuesi i gazetës ‘Lajm’, Fejzi Hajdari, thotë se partitë duhet të jenë shumë të kujdesshme në kalkulimet e tyre dhe të mos përsëritet e kaluara, kur u dhanë mbështetje të plotë kandidatëve maqedonas dhe për këtë nuk kanë përfituar thuajse asgjë.

“Premtimet e këtilla për zgjedhjet presidenciale asnjëherë nuk kanë mundur t’i kënaqin kërkesat e shqiptarëve, pasi premtimet gjithmonë kanë mbetur vetëm deklarative dhe asgjë më tepër. Prandaj, mendoj se partitë shqiptare duhet të kenë shumë kujdes gjatë kalkulimeve që do të bëjnë me kandidatët maqedonas që shkojnë në balotazh”, deklaroi Hajdari.

I të njëjtit mendim është edhe Jeton Shasivari, duke thënë se interesi i partive maqedonase do të jetë i madh për të përfituar votat e elektoratit shqiptar, që padyshim se edhe kësaj radhe mund të jenë vendimtare jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, por edhe për atë nëse zgjedhjet do të dështojnë nëse shqiptarët nuk dalin në votime.

“Në raundin e dytë, votat shqiptare do të jenë vendimtare për të përmbushur censusin prej 40 %, që është njëri nga kushtet kryesore për të pasur sukses procesi zgjedhor për zgjedhjen e presidentit të shtetit”.


Çdoherë gjatë cikleve zgjedhore, shqiptarët kanë votuar për njërin nga kandidatët për president shteti, mirëpo ajo votë ka qenë e verbër, pasi para vetes nuk kanë pasur asnjë aranzhman politik në formë të marrëveshjes së arritur. Prandaj, unë dyshoj që dalja e elektoratit shqiptar do të jetë në atë nivel që ka qenë në zgjedhjet paraprake për president shteti”, tha Shasivari.

Ndërsa, sa i përket rrjedhës së procesit zgjedhor, Fejzi Hajdari thotë se dita e zgjedhjeve dëshmoi se shqiptarët nuk janë ata që shkaktojnë dhunë në zgjedhje, por ata kanë qenë individë dhe subjekte të pandërgjegjshme, që nëse vlejnë ligjet apo veprojnë institucionet, padyshim se veprimi i tyre do të ishte joefektiv.

“Zgjedhjet në Maqedoni asnjëherë nuk janë rrezikuar nga shqiptarët ‘rebelë’ siç janë etiketuar nga mediat maqedonase në mënyrë tendencioze. Por, kanë qenë disa grupe vagabondësh që nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në zonat ku kanë jetuar, dhe ata vazhdimisht kanë sjellë incidente gjatë ditës së votimit dhe fushatës elektorale, kuptohet të nxitur nga subjekte të caktuara apo nga vetë pushteti”.

“Por, tani kur pushteti nuk kishte nevojë për ta, rezultoi të kemi zgjedhje të lira. Pra, shqiptarët duhet të falënderojnë pushtetin që në zonat shqiptare kishte zgjedhje të lira dhe demokratike, pasi pushteti nuk stimuloi grupet e tilla”, deklaroi Fejzi Hajdari.
XS
SM
MD
LG