Ndërlidhjet

“Mirënjohje NATO-s, padi ndaj Serbisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Shënimi i 10-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë edhe sot temë e paraqitur në të përditshmet në Kosovë, të cilat kanë pasqyruar opinionet e përfaqësuesve të skenës politike në Kosovë dhe në botë në lidhje me këtë ngjarje.

Gazeta “Lajm” në ballinën e saj ka titullin “Mirënjohje NATO-s, padi ndaj Serbisë”-shkrim ky në të cilin citohen udhëheqësit e Kosovës të jenë shprehur mirënjohës për ndërhyrjen e Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, 10 vjet më parë.

Ndërkohë, gazeta “Zëri”, po ashtu në faqen e saj të parë, ka një shkrim me titull “Prishtina falënderon aleatët, Beogradi bombardon me propagandë anti-NATO”.

Sipas këtij shkrimi, për të shënuar 10-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Prishtinë janë organizuar aktivitete simbolike, ndërsa në Beograd është përkujtuar agresioni, siç thuhet, i NATO-s.

Po në lidhje me intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, në një intervistë për gazetën “Shqip” të Tiranës, intervistë kjo e cila mund të lexohet edhe në gazetat e sotme kosovare, ka folur dhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Diskutimet mbi seancën e kaluar për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në shtypin ditor në Kosovë, sikurse dje, ashtu dhe sot, duket se janë fokusuar më tepër në paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, si dhe në kërkesën e tij për largimin e UNMIK-ut, sesa në vetë ngjarjet e pritshme politike pas mbledhjes në fjalë.

“Paraqitja e Hysenit në OKB ka qenë dinjitoze, thonë Sejdiu e Thaçi”, është artikulli i shkrimit të së përditshmes “Zëri”, i cili citon presidentin Fatmir Sejdiu dhe kreun e ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, të jenë shprehur në vijë, siç thuhet, me kërkesën e Hysenit që UNMIK-u të përfundojë misionin e vet.

Mirëpo, në lidhje me këtë kërkesë, sipas të përditshmes “Koha Ditore”, Kosova nuk ka plan për largimin e UNMIK-ut. Sipas kësaj gazete, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi nuk kanë shpalosur veprimet e institucioneve nëse kërkesa për fundin e misionit të UNMIK-ut do të injorohet.

Kjo kërkesë e adresuar në Këshillin e Sigurimit nga ministri Hyseni, në një artikull të gazetës “Epoka e Re”, e cila citon përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, vlerësohet si një gjë reale. Për të parën herë, siç shkruan kjo e përditshme, përfaqësues të opozitës kanë lënë mënjanë akuzat duke e lavdëruar Hysenin.

Sidoqoftë, në gazetën “Express”, në një koment të sajin në lidhje me këtë temë, thuhet se ministri Hyseni nuk ishte i dobët në performasën e tij, por se, siç vazhdon gazeta, ai nuk tha asgjë për të cilën tash do të duhej ta amnistonim për mospunën e deritashme.

Ndërkaq, sipas të përditshmes “Infopress”, e cila bazohet në të dhënat e organizatës “Gallup Europe”, Kosova është shteti më i pakorruptuar në rajon. Po kështu pohon dhe gazeta “Epoka e Re”.

Ndërsa, “Koha Ditore”, në një shkrim të sajin në lidhje me këtë çështje, thotë se për korrupsionin në Kosovë nuk ka ilaç. Sipas kësaj të përditshmeje, niveli i korrupsionit edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008 ka mbetur përafërsisht i njëjtë me nivelin e gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
XS
SM
MD
LG