Ndërlidhjet

Serbët: UNMIK-u mund të shuhet, por jo dhe 1244-shi


Ndërsa Prishtina zyrtare pret që KS të miratojë shuarjen e UNMIK-ut dhe të 1244-shit, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se Rezoluta 1244 duhet të mbetet në fuqi dhe të zbatohet.


Kërkesa e institucioneve të Kosovës drejtuar Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund mandatit të misionit të UNMIK-ut, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga ana e serbëve të Kosovës.

Ndërsa një pjesë e politikanëve serbë e konsideron të papranueshme shuarjen e UNMIK-ut, pjesa tjetër e këtij komuniteti thotë se UNMIK-u mund të shkojë, por nuk mund të shuhet Rezoluta 1244.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se kjo kërkesë është e pabazë dhe bie në kundërshtim me Rezolutën 1244.

“Teza që UNMIK-u nuk ka vend në Kosovë, nuk qëndron, si dhe thjesht Plani i Ahtisaarit nuk është i miratuar. EULEX-i erdhi në Kosovë mbi bazën e raportit që Ban Ki Moon i drejtoi Këshillit të Sigurimit dhe normalisht nën mandatin e Rezolutës 1244”, thotë Veliq.

Sipas tij, kërkesa e Prishtinës nuk do të pranohet, sepse nuk është e pranueshme për të gjitha palët. Përkundër faktit që autoritetet shtetërore të Kosovës e kanë kundërshtuar planin 6-pikësh, Veliq beson se UNMIK-u tash do të kalojë në fazën e implementimit të këtij plani.

“Jo se është vetëm i dobishëm, por UNMIK-u është në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare dhe vendimin e Këshillit të Sigurimit dhe si institucion që është kompetent që t’i zgjidhë rastet e tilla siç janë zhvillimet në Kosovë”, shprehet Veliq.

Mirëpo, edhe pse kërkojnë vazhdimin e zbatimit të Rezolutës 1244 nga ana e UNMIK-ut, edhe serbët shprehen të pakënaqur me punën e kësaj administrate. Nenad Radosavleviq, një përfaqësues tjetër serb nga Leposaviqi, vlerëson se UNMIK-u nuk ka arritur të krijojë kushte më të mira jetese për komunitetin serb.

“UNMIK-u si mision ka pësuar humbje në të gjitha çështjet dhe në të gjitha sferat që ndërlidhen me vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit. Kështu që për çdo rast, shuarja vetëm e UNMIK-ut nuk është kurrfarë dëmi për serbët”, thotë Radosavleviq.

Por, ajo që, sipas tij, është e rëndësishme për serbët, ka të bëjë me mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244 dhe jo me ruajtjen e UNMIK-ut.

“Është shumë me rëndësi që Rezoluta 1244 të fillojë të zbatohet me të vërtetë dhe në mënyrë të drejtë, kurse nuk do të jetë me rëndësi se kush do ta zbatojë, BE-ja, ICO-ja, EULEX-i apo kushdo qoftë”, thotë Radosavleviq.

Sidoqoftë, Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës kanë adresuar tashmë kërkesën që UNMIK-u të shuhet dhe që Rezoluta 1244 të abrogohet, pasi që vlerësohet se ky dokument nuk mund të gjejë më zbatim në Kosovën e pavarur, e cila funksionon në bazë të Kushtetutës së saj.

Kjo çështje është ngritur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, i cili ua ka bërë me dije vendeve të KS të OKB-së se Rezoluta 1244 tashmë po sfidohet, sepse institucionet e Kosovës duan që të funksionojnë si një shtet sovran.

Bazuar në dinamikën e paraparë, misioni i UNMIK-it, të paktën sipas pritjeve në Prishtinë, do të duhej të largohej në korrik, mirëpo vendimi, megjithatë, i përket Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG