Ndërlidhjet

logo-print

"Shkarkohen sekretarët politikë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Paralajmërimeve të Lituanisë për tërheqjen e kontingjentit ushtarak në KFOR, ndonëse të përbërë nga një numër simbolik prej rreth 30 ushtarësh, u kishin paraprirë në fakt paralajmërimet e Spanjës që brenda një periudhe diku 18-mujore Madridi zyrtar do të tërheqë praninë e tij ushtarake në KFOR.

Marrjen e këtij vendimi, ministrja e Mbrojtjes e Spanjës e kishte arsyetuar me faktin se trupat ushtarake të shtetit spanjoll nuk mund të qëndrojnë në Kosovë, përderisa, siç ishte shprehur ajo, Spanja nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje, në një koment të së përditshmes “Koha Ditore” thuhet se neutralitet ndaj statusit të Kosovës nuk mund të ketë për ushtarët e KFOR-it e as për policët e gjykatësit e EULEX-it.

Sipas këtij shkrimi, vendimi i Spanjës për tërheqjen e kontingjentit ushtarak nga KFOR-i, si mision që është paraparë të vepronte si neutral karshi statusit të Kosovës, është një dëshmi se në Kosovë, siç thuhet, nuk mund të funksionojë koncepti i “neutralitetit”.

Në bazë të këtij parimi, ndërkohë, në Kosovë vepron dhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit - EULEX.

Vendimi për reduktimin e pjesëtarëve të vet edhe nga ky mision kishte ardhur, kohë më parë, nga Britania e Madhe - vendim ky i cili, sipas gazetës “Zëri”, nuk ka bërë që EULEX të ndihet i rrezikuar.

Sipas një artikulli të kësaj gazete për çështjen në fjalë, aktualisht në EULEX punojnë 99 britanikë, prej të cilëve 62 persona janë të deleguar nga Qeveria britanike, ndërkohë në bazë të vendimit të Londrës zyrtare, sipas këtij shkrimi, prania e britanikëve në EULEX do të mund të zvogëlohet deri në 30 veta.

Shkrimi i “Zërit” përmban dhe një pasqyrë të numrave të pjesëtarëve të shteteve kontribuuese veç e veç në EULEX.

Ndërkaq, vendimi i kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, për të shkarkuar nga pozita e ushtruesve të detyrës së sekretarëve të përhershëm ose të kryeshefave ekzekutivë në agjencitë ekzekutive në Qeverinë e Kosovës, është pasqyruar në mënyra të ndryshme te gazetat e përditshme në Kosovë.

Kështu, “Kosova Sot” në ballinë të saj ka një artikull në lidhje me këtë çështje, e që mban titullin “Thaçi shkarkon sekretarët me kostume politike”.

Gazeta “Express” pohon se vendimi i kreut të ekzekutivit kosovar për shkarkimin e ushtruesve të detyrës, është bërë me arsyetimin, siç thuhet, të shkeljeve ligjore që janë bërë në rastin e emërimit të tyre nga ministrat përkatës.

Opozita, ndërkohë, sipas këtij shkrimi, e ka vlerësuar vendimin e Thaçit si dëshmi të fortë të politizimit të fërkimit në mes partive në koalicion.
Sipas gazetës “Lajm”, ndërkaq, vendimi i kryeministrit Thaçi ka hyrë në fuqi të martën, por, sipas kësaj të përditshmeje, deri të mërkurën pasdite asnjëri nga ministrat nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për t’i emëruar ushtruesit e detyrës dhe sekretarët e rinj nga radhët e shërbyesve civilë.

Në anën tjetër, analisti britanik, Tim Judah, në një intervistë dhënë për gazetën “Koha Ditore”, vlerëson se veriu i Kosovës është i humbur për një të ardhme të parashikueshme.

Ndërkaq, po për problemin e veriut të Kosovës, përkatësisht qytetit të ndarë në dysh të Mitrovicës, gazeta “Bota Sot”, në një shkrim të sajin, pasqyron, ndër të tjera, kërkesat e qytetarëve të këtij qyteti drejtuar institucioneve shtetërore, e që flasin për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri.
XS
SM
MD
LG