Ndërlidhjet

Kriza ekonomike rrit pakënaqësitë


Francë, 19 mars.
Francë, 19 mars.

Në mbarë botën, njerëzit e thjeshtë, por edhe politikanët, janë zemëruar nga rënia ekonomike dhe nga ajo që po e bëjnë apo nuk e bëjnë qeveritë e tyre për ta rregulluar ekonominë.



Në Paris, punëtorët që kërkonin rroga më të mira, e rrëmbyen një drejtor të fabrikës. Në Skoci u dogjën shtëpia dhe automjeti i një ish-drejtori të bankës. Në Amerikë, zemërimi sa vjen e rritet nga bonuset, që iu paguan drejtuesve të bankave dhe kompanive të dështuara, të cilat u shpëtuan nga miliarda dollarët e taksapaguesve.

Nga Amerika në Evropë, vazhdimisht po shtohet zemërimi nga rënia e ekonomisë, e cila shndërrohet në humbje pune dhe jetë të trazuara. Në Evropë, ku udhëheqësit akuzohen se nuk po bëjnë sa duhet për të stimuluar ekonominë, mllefi është bërë aq agresiv, saqë zyrtarët janë shqetësuar për mundësinë e dhunës.

Zemërimi i këtillë rrezikon ta prishë edhe samitin e 20 vendeve më të zhvilluara në Londër, ku javën e ardhshme, më 6 prill, do të takohen liderët e G-20-ës. Policia britanike madje i ka udhëzuar bankat dhe kompanitë financiare që ta rrisin sigurinë.

David Miliband
Sekretari i Jashtëm britanik, David Milliband, ditë më parë, deklaroi se G-20 do të duhet të dalë me plane efektive për ta adresuar humbjen e vendeve të punës dhe koston sociale që mund ta shkaktojë kriza financiare globale.

"Kjo sfidë do t'i bëjë liderët që të zhvillojnë një sistem adekuat për t'iu përgjigjur shkallës së krizës ekonomike, me të cilën po përballemi, e jo vetëm krizës financiare", tha Milliband.

Deri sot, protestat popullore nuk janë shoqëruar me dhunë. Por, jo të gjitha.

Javën e kaluar, 1.2 milion njerëz në Francë dolën në grevë, për shkak të humbjes së punës. Greva ishte paqësore, por nuk ishte kështu me atë që të mërkurën në Edinburgh i ndodhi Fred Goodwinit.

Shtëpia dhe automjeti i ish-drejtorit ekzekutiv në Bankën e Skotlandës u dogjën krejtësisht nga vandalët, të cilët dukshëm ishin shqetësuar për shkak se Goodwin u shpërblye me pension prej 1 milion dollarësh në vit, përkundër faktit se ai ishte në krye të bankës kur ajo dështoi dhe kërkoi fonde nga Qeveria. Në kohën e ngjarjes së dhunshme, ai nuk ndodhej në shtëpi.

Ndërkohë, në Francë, drejtuesi i fabrikës 3M më në fund u lirua, pasi ishte rrëmbyer për më shumë se 24 orë nga punëtorët e shqetësuar për rrogat e tyre.

Luc Rousselet u lirua të enjten pas negociatave të udhëheqësve të sindikatës dhe zyrtarëve të kompanisë. Sindikalistët thanë se kishin marrë zotim se kompania do t'u përgjigjet kërkesave të tyre.

Zyrtarët dhe ekonomistët amerikanë e kanë kritikuar Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare se nuk po bëjnë sa duhet për t'i stimuluar ekonomitë e tyre të dobësuara. Zyrtarë të BE-së dhe disa vende anëtare thonë se tashmë kanë bërë mjaft, dhe e kritikojnë Uashingtonin për shpenzime të tepruara.

Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian, i karakterizoi planet amerikane për stimulimin e ekonomisë si "rrugë drejt ferrit".

Mirek Topolanek
"Më duhet të them hapur se fjalët e sekretarit të Thesarit, Timothy Geithner, për aksione të vazhdueshme, mjaft e kanë alarmuar Këshillin e Evropës. Jo vetëm që Amerika i përsërit gabimet e viteve të 1930-ta me stimule dhe thirrje për protekcionizëm, por gjithë këto thirrje janë rrugë drejt ferrit",
tha Topolanek.

Por, edhe në Amerikë ka zemërime. Lajmet e fundit se miliona dollarë kanë shkuar në xhepat e drejtuesve të kompanisë së sigurimeve AIG, e cila mori ndihma nga Qeveria, kanë bërë që të kritikohen edhe politikat ekonomike të presidentit Barack Obama.
XS
SM
MD
LG