Ndërlidhjet

Prishtina: Shkurtimet ndërkombëtare s’janë shqetësuese


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës i ka ftuar të gjitha vendet që të largojnë stafin e tyre nga UNMIK-u. Shkurtimet në misionin e KFOR-it dhe në atë të EULEX-it nuk janë vlerësuar si shqetësuese për vendin.



Shkurtimet në numrin e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare janë në harmoni me gjendjen e mirë në Kosovë, thonë zyrtarë të lartë të institucioneve vendore.

Këto komente i pasojnë paralajmërimet për shkurtime në numrin e ushtarëve të KFOR-it, por edhe të misionit policor e gjyqësor të EULEX-it, i cili ende nuk ka filluar të funksionojë me kapacitete të plota.

Ndërsa besohet se KFOR-i dhe EULEX-i, pavarësisht paralajmërimeve për disa shkurtime, do ta ruajnë praninë e mjaftueshme në Kosovë, Qeveria në Prishtinë i fton të gjitha vendet që ta tërheqin personelin nga administrata e UNMIK-ut, të cilin e sheh si të tepërt për rrethanat e reja në Kosovë.

Vendi i parë që ka larguar stafin nga UNMIK-u është Rusia. Në emër të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka inkurajuar edhe vendet tjera që të veprojnë njësoj.

“Mendoj që Rusia ka ndërmarrë një veprim të mirë dhe do t’i ftoja të gjitha shtetet që ta tërheqin personalin e vet nga UNMIK-u”, thotë Kuçi.

Derisa prania e UNMIK-ut që nga shpallja e pavarësisë shihet e tepërt për autoritetet kosovare, ruajtja e pranisë ushtarake të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it vlerësohet ende si e domosdoshme.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se pavarësisht paralajmërimeve për shkurtime në KFOR apo të vendimeve të ndonjë vendi, siç është Britania e Madhe, edhe për shkurtime në EULEX, kjo nuk duhet të jetë shqetësuese për Kosovën, pasi që, sipas tij, reduktimet kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Kosovë në njërën anë, por edhe me kursimet që vendet e caktuara planifikojnë t’i bëjnë për shkak të krizës globale financiare.

Hajredin Kuçi

"Kosova nuk mbrohet në bazë të numrit të trupave që i ka, por në bazë të politikës që ka bashkësia ndërkombëtare për sigurinë e Kosovës. Vendimi politik për ta ruajtur sigurinë e Kosovës është marrë në Bruksel dhe ai vendim politik i ndez motorët në rast të pasigurisë brenda minutave”.




“Nuk ka nevojë të shqetësohemi. Edhe EULEX-i e ka misionin e vet, ka angazhimet e veta; trupat e EULEX-it janë të kufizuara në numër dhe nuk ka nevojë të shqetësohemi nga veprimet e tilla”,
thotë Kuçi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, thotë se vendimi britanik për shkurtime të stafit në kuadër të EULEX-it, nuk do të ketë efekte për sa i përket këtij misioni, pasi që ky staf që do të largohet, do të plotësohet nga vendet tjera.

“Sipas njoftimeve, Britania e Madhe do të reduktojë 50 për qind të pranisë së saj në EULEX, ku përfshihen rreth 30 policë britanikë”, thotë zëdhënësi Lamfalussy.

Por, sipas zëdhënësit të EULEX-it, pritet që të gjitha vendet boshe të britanikëve të plotësohen nga vendet tjera. Aktualisht, sqaroi ai, EULEX-i nuk ka paralajmërime nga vendet tjera për shkurtime të ngjashme.

Në kuadër të misionit evropian, aktualisht shërbejnë 60 zyrtarë britanikë, ndërsa në kuadër të Zyrës Civile Ndërkombëtare punojnë katër.

Ndryshe, misioni i EULEX-it, i cili shtrin fushëveprimin e vet në polici, gjykata e dogana, sipas paralajmërimeve do të ketë rreth 2 mijë e 500 veta veta nga personeli ndërkombëtar. Ky mision tashmë ka marrë përgjegjësitë nga UNMIK-u, por ende nuk është funksionalizuar në tërësi.
XS
SM
MD
LG