Ndërlidhjet

logo-print

“UNMIK-u provon të nxisë kontaktet rreth trashëgimisë kulturore”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Kërkesa e ekzekutivit kosovar për largimin e UNMIK-ut drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte përsëritur në deklaratat e zyrtarëve politikë edhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

Administrata e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë, nuk ka reaguar publikisht ndaj një kërkese të tillë dhe duket se me një ritëm të njëjtë vazhdon punën e mëparshme në Kosovë, veçanërisht nëse flasim për përpjekjet për aranzhimin e bisedimeve teknike Prishtinë-Beograd.

Kështu të paktën pohon e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, e cila në faqen e saj të parë ka një artikull, sipas të cilit, UNMIK-u provon të nxisë kontaktet rreth trashëgimisë kulturore ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sipas këtij shkrimi, për të arritur këtë, UNMIK-u ka kërkuar fleksibilitet nga Zyra Civile Ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës, si dhe nga Kisha Ortodokse e Qeverisë së Serbisë.

Sipas gazetës, e cila citon burimet e saj brenda UNMIK-ut, thuhet se për arritjen e këtij synimi nuk përjashtohet mundësia e rifreskimit të opsioneve të propozuara me pakon e Ahtisaarit, me të cilën parashihet formimi i Këshillit Zbatues dhe Monitorues.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj kundërshtues jo vetëm ndaj bisedimeve teknike me Serbinë, por edhe ndaj intervenimit të UNMIK-ut në bisedime eventuale me shtetin serb.

Kështu, një pjesë e madhe e gazetave të sotme citon zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, t’u ketë bërë thirrje shteteve të ndryshme të tërheqin personelin e vet nga UNMIK-u.

Dhe, ndër të tjera, njofton gazeta “Lajm”, se vendimet e shteteve kontribuuese në misionin EULEX për reduktimin e personelit në këtë mekanizëm, nuk kanë shqetësuar ekzekutivin kosovar.

Anëtarësimi i Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës duket se është vlerësuar në mënyrë pozitive në Prishtinë - gjë që vërehet nga artikujt e shumtë të gazetave të përditshme në lidhje me këtë çështje.

Kështu gazeta “Infopress”, në një shkrim të sajin, citon kryetarin e Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Busek, t’i ketë quajtur mbresëlënëse ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë përgjatë viteve të fundit.

Busek, siç thuhet, u ka bërë thirrje bizneseve të shteteve të ndryshme që të investojnë në Kosovë, ngase, sipas tij, është krijuar një klimë e përshtatshme për këtë veprim.

Busek, në një shkrim të së përditshmes “Kosova Sot”, e që pasqyron të njëjtën temë, ka vlerësuar se me inkurajimin e investimeve, ndër të tjera, mund të kalohet dhe kriza ekonomike globale që mund të rrezikojë në një të ardhme Evropën Juglindore.

Në lidhje me këtë, e përditshmja “Zëri”, në një analizë të gazetës, konsideron se kriza ekonomike, e cila ka kapur Serbinë, duhet të shfrytëzohet politikisht nga Kosova për t’i shkuar në fund, siç thuhet, procesit të vendosjes së rendit dhe të ligjit në veri të Kosovës.

Ndërkaq, disa shkrime kanë të bëjnë me veprimin e deritanishëm të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, përkatësisht në aspektin e lobimit për njohjen e Kosovës.

“Kosova sot”, në një artikull të sajin mbi këtë temë, e citon zëvendësministren e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, të ketë thënë se Qeveria e Kosovës ka një plan për të nxitur më tepër njohje të shtetësisë së Kosovës. Opozita, sipas shkrimit në fjalë, e quan punën e Qeverisë në këtë drejtim ad hoc.

Kurse, në një shkrim të gazetës “Bota Sot”, shkrim ky që përmban paralajmërimet e përfaqësuesve të opozitës kosovare, thuhet se në javën e ardhshme do të ketë njohje të reja për shtetin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG