Ndërlidhjet

Priten goditje më të rënda të krizës në Kosovë


Tashmë ekzistojnë fakte, të cilat sinjalizojnë se kriza financiare ndërkombëtare po e godet Kosovën. Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë në Kosovë, të cilët thonë se efektet e kësaj goditjeje do të jenë shumë më të dukshme në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest” në Prishtinë, thotë se kriza financiare ndërkombëtare, e cila fillimisht kishte afektuar vendet e zhvilluara industrialiste, tashmë po i godet dhe vendet me nivel të ultë të zhvillimit, siç është edhe Kosova.

“Elementet e këtij afektimi, unë mendoj se ka kohë që është duke i përjetuar Kosova. Në radhë të parë, vërehet një rënie e dukshme e dërgesave nga diaspora. Pastaj, dihet situata me fondin e kursimeve të pensioneve në tregjet e jashtme - do të thotë, kemi rreth 33 për qind të zhvlerësimit të këtyre mjeteve - si dhe vazhdon të vije në shprehje hezitimi i investitorëve”, thotë Sadiku.

Ngjashëm vlerëson edhe Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, sipas të cilit, Kosova është një nga vendet e para me nivel të ultë të zhvillimit, që, siç thotë ai, i ka shijuar efektet negative të krizës financiare ndërkombëtare.

“Vetë fakti se eksportet e Kosovës, ku më tepër se 50 për qind kanë qenë të përbëra nga mbeturinat metalike dhe metalet në përgjithësi, janë përgjysmuar, do të thotë se të gjitha këto janë fakte, të cilat na shqetësojnë dhe janë me siguri çdo ditë e më tepër më shqetësuese; si dhe, në të njëjtën kohë, humbja e vlerës apo rënia e vlerës së çmimeve të patundshmërive në tregun kosovar”,
thotë Gërxhaliu.

Ndërkaq, këta ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se në bazë të vlerësimeve ndërkombëtare, Kosova po hyn në një periudhë, e cila në gjysmën e dytë të këtij viti do të përfshihet nga ndikimet e jashtme.

Zoti Sadiku pohon se në këtë periudhë, pavarësisht se Kosova nuk tregon nivel të lartë të ndërkombëtarizimit të tregut të saj me tregjet e jashtme, do të ketë shtrëngime financiare.

“Duke pasur parasysh që Kosova vazhdon të ketë shpërpjesëtime tejet serioze në mes të eksportit dhe importit, faktikisht Kosova eksporton brenda vitit, do të thotë, jashtë ekonomisë së Kosovës dalin rreth 1. 5 miliard euro, dhe kjo, vetvetiu, në rrethana të ashpërsimit të situatës së përgjithshme, do të sjellë shtrëngime të reja financiare".

"Këtu, vërtet kam frikë se do të pësojnë shtresat e varfra dhe të gjithë ata të punësuar që kanë nivel të ultë të të ardhurave personale”,
u shpreh Sadiku.

Zoti Sadiku thotë se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se ka ndarë rreth 200 milionë euro për të intervenuar në rast të çrregullimeve të mëdha në ekonomi. Sipas tij, ajo duhet të nxitojë që të bëjë një analizë relevante për t’i identifikuar sektorët që do të afektohen më shumë nga kriza eventuale dhe të intervenojë në mënyrë që ajo të ketë një kosto sa më të ultë.

Lidhur me këtë çështje, zoti Gërxhaliu thekson:

“Sikur të kishim qenë të sigurt se 200 milionë euro vërtet e kanë destinacionin e caktuar - përkrahje komunitetit të biznesit apo një formë e evitimit të efekteve negative të krizës – do të ishte shumë mirë. Mirëpo, parandalimi i krizës dhe ballafaqimi me pasojat e krizës, nuk është ‘fontanë dëshirash’. Kërkohet përgatitje".

"Dhe, kur dihet fare mirë se mbi financat publike, mbi menaxhimin financiar në Kosovë, në përgjithësi mungon një bazë e mirëfilltë juridike, atëherë vërtet është e vështirë të thuhet se këto para ose kjo formë e parapërgatitjes, kinse për ballafaqim me pasoja të krizës, do të mjaftojë”,
deklaroi Gërxhaliu.

Sidoqoftë, këta ekspertë për çështje ekonomike kanë thënë se Qeverisë së Kosovës i është sugjeruar që të merren modelet nga vendet tjera për t’i përballuar efektet e krizës eventuale, siç është modeli i Austrisë dhe disa vendeve, në të cilat është ruajtur qëndrueshmëria e konsumatorit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG