Ndërlidhjet

Strukturat paralele - shkak i tensioneve në veri


Lagjja e Boshnjakëve - foto arkiv
Lagjja e Boshnjakëve - foto arkiv

Lagjja e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, sipas mekanizmave të rendit, gjatë ditëve të fundit ka qenë vatër e incidenteve të ndryshme, që kanë tensionuar situatën e sigurisë në atë pjesë të vendit.



Autoritetet e sigurisë në Kosovë pohojnë se situata e sigurisë në veri të Mitrovicës vlerësohet si e qetë, por me tensione të vazhdueshme, për shkak të, siç thuhet, veprimeve të grupeve kriminale apo atyre me interesa të ndryshme në atë pjesë të vendit.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thekson se arsye tjetër e tensionimeve të herëpashershme të situatës së sigurisë në veri, e sidomos në Lagjen e Boshnjakëve, është dhe veprimi i strukturave paralele serbe.

“Absolutisht, ne gjithmonë e kemi marrë parasysh që funksionimi i strukturave paralele, të cilitdo nivel qofshin ato, të sigurisë apo të niveleve tjera të funksionimit paralel, është burim i tensioneve ose iniciues i problemeve të ndryshme”, tha Hoti.

Ky problem, sipas tij, nuk është vetëm një problem policor, porse, siç thotë ai, është i shtrirë dhe në dimensionin politik.

“Janë çështje që nuk janë kryekëput vetëm çështje policore. Mendoj se janë vendime që duhet të merren në nivele dhe qarqe të ndryshme, duke përfshirë edhe ato politike. Prandaj, në shumë situata, policia, si institucion i vetëm, është e pamundur të ndërmarrë vendime të mëtutjeshme në shpërbërjen e tyre ose në identifikimin e këtyre grupeve”,
u shpreh Hoti.

Edhe ekspertët për çështje të sigurisë, situatën në përgjithësi në veri të Kosovës e konsiderojnë si të tensionuar dhe me mundësi të tensionimit edhe më të madh. Ramadan Qehaja thotë se, dita-ditës, strukturat paralele të sigurisë po forcohen dhe bashkë me to edhe tensionet po rriten.

“Ditëve të fundit, ajo po ndërlikohet edhe më tepër, aq më parë që strukturat paralele janë duke u përforcuar edhe më tepër atje. Kjo po shihet edhe në bazë të ngjarjeve që ndodhin atje - eksplodimet, gjuajtjet, kërcënimet e tjera. Nëse vazhdohet me këtë trend të vëzhgimit tonë se çka po ndodh atje dhe mosndërmarrja e masave konkrete që strukturat paralele që veprojnë atje, të mos ndëshkohen vërtet, ne nuk do të kemi qasje dhe ajo pjesë e vendit do të mbetet jashtë suazave të veprimit tonë”, theksoi Qehaja.

Ramadan Qehaja
Sipas zotit Qehaja, përfaqësuesit e institucioneve të vendit, në bashkëpunim me organet e rendit, ato vendore dhe ndërkombëtare, të cilat veprojnë në vend, duhet të ndërmarrin hapa për shuarjen e strukturave paralele të sigurisë, pasi që, siç thotë ai, ato veprojnë në mënyrë ilegale në shtet.



“Ne duhet të propozojmë që edhe si shtet t’i ndërmarrim veprimet tona atje. Me forca, me mjete duhet të depërtojmë atje, t’i rrethojmë këto banda që po veprojnë atje në mënyra të ndryshme. Të ndërmerren masa që situata e sigurisë të fillojë të qartësohet. Përndryshe, me deklarata boshe, me frazeologji, ne nuk mund ta kryejmë këtë punë - aq më parë që ne e kemi Kushtetutën tonë dhe populli po kërkon që kjo Kushtetutë të zbatohet në praktikë”,
tha eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja.

Ditët e fundit kanë qenë mjaft sfiduese për situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës. Në lagjet e banuara me popullatë të përzier me komunitete të ndryshme, kanë ndodhur disa shpërthime dhe gjuajtje me armë zjarri, nga të cilat është rrezikuar, siç thuhet në raportin javor të policisë, siguria e përgjithshme.
XS
SM
MD
LG