Ndërlidhjet

A do të mbyllen dyert e BE-së për Ballkanin?

  • RFE /RL

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, javën e kaluar, deklaroi se pas pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, vendet tjera të Bashkimit Evropian duhet të pushojnë së aplikuari.


Por, Këshilli i Evropës më herët është zotuar se do t’i mbajë dyert e hapura për vendet e Ballkanit perëndimor. Vetëm dy ditë pas deklarimit të Angela Merkelit, shefi për politikë të jashtme i BE-së, Havier Solana, rikujtoi premtimet e Brukselit.

"Gjithnjë duhet mbajtur në mend parimin: perspektiva e vendeve të Ballkanit perëndimor për t'u anëtarësuar në BE, mbetet e hapur. Askush nuk e ka ndryshuar këtë politikë. Kjo politikë është definuar në samitin e Zagrebit në vitin 2000 dhe kurrë nuk është ndryshuar", ka thënë Solana.

Analistët gjermanë thonë se deklarimet e Angela Merkelit nuk sinjalizojnë ndryshim fundamental të politikave të pranimit në BE, por janë për konsum të brendshëm për shkak të zgjedhjeve në Gjermani.

Solveig Richter, ekspert nga Instituti gjerman për politikë ndërkombëtare dhe siguri, me seli në Berlin, thotë:

"Komentet e Angela Merkelit mund të kuptohen vetëm në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe evropiane. Ajo që Merkel e ka thënë, ka të bëjë me programin zgjedhor", thotë Richter.

Angela Merkel
Deklarimin për ndaljen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Angela Merkel e kishte bërë në kongresin e partisë së saj (CDU).

Analisti Richter pohon se është shumë herët të thuhet nëse prononcimi i Angela Merkelit sinjalizon ndryshim të kursit të deritashëm të politikës së zgjerimit.


"Mbetet të shihet nëse ky deklarim i Angela Merkelit vërtet do të realizohet dhe nëse partnerët evropianë do të pajtohen me një politikë të tillë",
konkludon Richter.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, pohon se në këtë plan ende nuk është parë ndonjë ndryshim esencial në politikën e Berlinit zyrtar.

"Nëse Gjermania bllokon procesin e zgjerimit, kjo do të mund të kuptohet ose si përpjekje për të konsoliduar procesin e pranimit, ose si sabotim i procesit", thotë Knaus, për të shtuar se nuk beson në një gjë të tillë.

Ai pohon se politika gjermane në këtë plan do të testohet shumë shpejt.

"Pozicioni i Gjermanisë do të vihet para testimit real. Pos Malit të Zi, Shqipëria shumë shpejt do të paraqesë aplikimin, mbase në prill ose qershor. Kjo është e sigurt. Një gjë të tillë do ta bëjë gjatë këtij viti edhe Serbia", thotë Knaus.

Ai shton se kryesia suedeze e Bashkimit Evropian nga korriku do të jetë në favor të mbështetjes së zgjerimit të BE-së në drejtim të Ballkanit.

Knaus konkludon se dhe Komisioni i Bashkimit Evropian është duke bërë presion që dera e zgjerimit të mbetet e hapur.
XS
SM
MD
LG