Ndërlidhjet

Në rrugën kah integrimi evropian, ajo që më së shumti lypset, është reciprociteti. Kështu vlerësojnë njohës të integrimeve evropiane, të cilët mendojnë se Kosova, sado që të punojë vetë, sërish ka nevojë për mbështetjen e KE-së.



Rrugëtimi i Kosovës kah integrimet evropiane nuk duket të jetë i lehtë. Përveç kritereve dhe standardeve që duhet përmbushur për të përshpejtuar anëtarësimin në BE, Kosova përballet me probleme të natyrës politike.

Mosnjohja e vendit nga 5 anëtaret e BE-së, sipas njohësve të integrimeve evropiane, po bën që Kosova të vendnumërojë.

Shenoll Muharremi vlerëson se është për të ardhur keq, se që nga fillimi në rrugën drejt integrimeve, Kosova nuk mundi të përdorë të njëjtët mekanizma si vendet e rajonit.

“Ka qenë një opinion që me zgjidhjen e statusit, Kosova do të bëhet anëtare e barabartë dhe do ketë një proces të stabilizim-asociimit si vendet tjera. Pak është pritur që këto pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, do të shkaktojnë probleme kaq të mëdha. Kosova ende mbetet ne procese të veçanta”, thotë Muharremi.

Në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian është kërkuar angazhim më i madh i institucioneve të Kosovës në përmbushjen e reformave dhe në luftën kundër korrupsionit - kërkesa këto që përsëriten nga Komisioni Evropian.

Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë kërkojnë që Kosova të mos lihet e vetme në arritjen e këtyre synimeve, sepse integrimi do të ishte i ngadalshëm.

Por, ka të tillë që mendojnë se në këtë rrugë, shumë gjëra varen nga vetë kosovarët. Një nga ta është kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi.

“Na duhet të punojmë, të bëjmë reforma në të gjitha sferat e jetës, në ekonomi, në sundimin e ligjit; të intensifikojmë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Shumë gjëra varen nga ne. Neve na duhet ndihma e BE-së, por ne jemi ata që duhet të tregojmë se përkushtimin politik që e kemi dhënë, duhet ta zbatojmë në praktikë”,
u shpreh Hundozi.

Për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së, Kosova nuk është përfshirë në negociatat që Komisioni Evropian i bën me vendet e rajonit, qoftë për heqjen e vizave, qoftë për çështjet tjera.

Këto ditë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Rehn, është shprehur se Bashkimi Evropian do të gjejë mundësi praktike dhe pragmatike për të mos lejuar që Kosova të mbetet si një 'vrimë e zezë' në rajon dhe në Evropë.

Ndërsa, zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Maja Pavloviq, thotë se meqë shtetet individuale njohin Kosovën, nuk mund të thuhet se Kosova është e përjashtuar.

“Duhet theksuar se shumë vende anëtare kanë marrë veprime të njëanshme, që të lehtësojnë udhëtimin për kosovarët dhe në praktikë Kosova ka një lloj trajtimi special dhe nuk është e përjashtuar”, thotë Pavloviq.

Në anën tjetër, Zylfije Hundozi, mendon se nuk është as në interes të vetë BE-së që ta lë Kosovën prapa procesit të integrimit.

“Politikat e zgjerimit nuk janë që t’i bëhen Kosovës koncesione, apo të shikohet përmes gishtave. Është në interes të tyre që Kosova të mos mbetet vrimë e zezë, sepse zgjerimi ka qëllim që të krijojë një strategji të sigurisë në tërë Evropën, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor”, u shpreh Hundozi.

Për një liberalizim vizash, shtetet duhet të plotësojnë disa kritere të caktuara nga Komisioni Evropian - një nga to edhe pajisja me pasaporta biometrike. Kosova ka nisur prodhimin e pasaportave të reja vitin e kaluar, por jo biometrike.

Sidoqoftë, ministri i Punëve të Jashtme, Zenun Pajaziti, gjatë një vizite në Bruksel, ua ka bërë të ditur zyrtarëve të atjeshëm se Kosova njëanshëm dëshiron t’i përmbushë kushtet për lehtësim vizash.

Në këtë kuadër, Kosova, sipas Pajazitit, është treguar e gatshme që të nisë aplikimin e kushteve të theksuara në udhërrëfyesin që kanë vendet e Ballkanit perëndimor, ku përfshihen pasaportat biometrike, kontrolli i mirëfilltë i kufijve shtetërorë, sigurimi i dokumenteve, lufta kundër krimit të organizuar dhe legjislacioni adekuat për shtetasit e huaj.
XS
SM
MD
LG