Ndërlidhjet

Në mbrojtje të identitetit malazez


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Përfaqësuesit e banorëve malazezë në Kosovë i kanë bërë publike qëndrimet e tyre në lidhje me deklaratat e disa përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, se Shoqata e Malazezëve të Kosovës po e dobëson pozitën e ortodoksizmit dhe komunitetit serb në Kosovë.

Gjatë një konference për media, ata kanë thënë se synimi i tyre është mbrojtja e identitetit të malazezëve si komunitet autokton në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçiq, tha se po përballen me akuza dhe presion nga ana e serbëve të Kosovës, por, megjithatë, shtoi ai, nuk do t’i përgjigjen asnjë provokimi që vjen nga ana e komuniteti serb, por do të vazhdojnë të kërkojnë vetëm të drejtat e tyre.

Synimi i banorëve malazezë në Kosovë, sipas Vujiçiqit, është mbrojtja e identitetit të malazezëve, të cilët janë autoktonë dhe ekzistojnë me shekuj në Kosovë.

“Për ta njoftuar opinionin, e në veçanti komunitetin serb në Kosovë, se ne nuk jemi armiq të tyre nëse i mbrojmë të drejtat tona dhe faktin se Mali i Zi është shtet dhe është i obliguar t’i mbrojë shtetasit e tij, të cilët janë autoktonë në Kosovë”, tha zoti Vujiçiq.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Malazezëve ka apeluar tek Qeveria e Serbisë që të ndikojë tek politikanët serbë në Kosovë, të cilët me urrejtjen e tyre, po krijojnë dëme.

“Ne jemi të bindur se po veprojmë drejt për popullin tonë në Kosovë, ndërsa koha dhe veprat do të tregojnë se kush ka pasur të drejtë apo jo, si dhe gjithashtu kush ka bërë të mira për popullin e vet - jam i bindur se do të tregojë historia”, tha Vujiçiq.

Ai ka kërkuar nga popullata serbe në Kosovë që t’i referohet gjendjes faktike dhe të mos bie pre e politikave ditore dhe të paargumentuara të politikanëve serbë në Kosovë. Ndërkaq, nga institucionet shtetërore të Kosovës, malazezët kërkojnë të kenë trajtim të barabartë me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Lidhur me këto pakënaqësi të përfaqësuesve të banorëve malazezë në Kosovë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë:

“Ne do të bëjmë çmos që të gjitha të drejtat që i kanë të gjithë qytetarët dhe komunitetet, t’i gëzojë edhe pakica malazeze, por është e pamundur që të bëhet ndryshimi i Kushtetutës tani për tani”.

Megjithatë, ai thekson se ato që ofrojnë Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, që kanë të bëjnë me respektimin e të gjitha të drejtave të mundshme, qoftë individuale dhe kolektive, do t’i garantojnë.

Sidoqoftë, Krasniqi e quan hap pozitiv kërkesën e banorëve malazezë të Kosovës për t’u trajtuar si minoritet, ngase kjo, sipas tij, i kontribuon identitetit të tyre, i cili për vite të tëra ishte përfshirë në mënyrë të gabuar në identitetin serb.

“Fatkeqësisht, vetëm tani në Kosovën e pavarur, pakica malazeze, e cila tradicionalisht ka jetuar në Kosovë, është shfaqur si pakicë e organizuar. Na vjen keq që për shumë vite ata kanë qenë në një formë apo tjetër thuajse të asimiluar nga pakica serbe. Na vjen mirë, në anën tjetër, që më në fund, edhe pse ndoshta me vonesë, janë vetëdijesuar dhe kanë dalë në pah si pakicë etnike e organizuar”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, sipas disa të dhënave të Shoqatës së Malazezëve, në Kosovë jetojnë mbi 27 mijë malazezë, prej të cilëve mbi 16 mijë janë zhvendosur në Mal të Zi.
XS
SM
MD
LG