Ndërlidhjet

Havel: NATO e BE të shtrihen deri në kufijtë e Rusisë

  • Jeremy Bransten

Vaclav Havel

Vaclav Havel

"Në kufijtë e Rusisë fillon një qytetërim i madh euro-aziatik. Kjo hapësirë është plotësisht e barabartë me qytetërimin tonë, por është e ndryshme", thotë ish-presidenti çek, Vaclav Havel.



RADIO EVROPA E LIRË
Një numër politikanësh, kryesisht jo në Perëndim, e kanë përdorur krizën ekonomike si provë për dështimin e modelit ekonomik dhe shoqëror liberal. Cili është kundër-argumenti juaj?

VACLAV HAVEL

Është e vështirë që të bie dakord me qëndrime të tilla radikale. Mendoj se nuk është krizë thjesht e një sistemi ekonomik, por një krizë e qytetërimit.

Njëherësh, kjo krizë është sfidë dhe zile alarmi. Nëse njerëzit dhe institucionet e kuptojnë drejt situatën dhe nxjerrin përfundimet e duhura, kriza aktuale mund të sjellë përfitime për të ardhmen.

Kriza është shenjë se askush nuk mund të nxjerrë fitime aftashkurtra - përkundrazi duhet të mendojë për më gjatë dhe jo thjesht brenda interesit të vet.

Kriza është sfidë edhe për krenarinë e një numri ekonomistësh, që mendonin se dinin gjithçka, dhe krejt papritur e shohin veten në pozitë ku nuk mund të shpjegojnë asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni i shqetësuar për pasojat e krizës në Evropë?

VACLAV HAVEL
Mendoj se Evropa është e integruar dhe është përballur me një numër provash, të cilat i ka tejkaluar. Nuk mendoj se kriza do të shkaktojë ndonjë lloj shpërbërjeje. Pasojë e krizës mund të jetë vonesa në disa procese, por jo diçka më e keqe.

RADIO EVROPA E LIRË

Kanë kaluar 20 vjet nga koha e revolucioneve që sollën rënien e komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore. Por, a ka rrezik që vendet, të cilat kanë mbetur jashtë BE-së, si Gjeorgjia apo Ukraina, të mund ta shohin veten në anën e gabuar të një lloj "Muri të ri të Berlinit"?

VACLAV HAVEL
Natyrisht, dhe kjo nuk do të ishte diçka e mirë. Nga ana tjetër, besoj se vendet apo rajonet e caktuara, që ndajnë qytetërime të përbashkëta, duhet ta dinë qartësisht se ku fillojnë e ku mbarojnë.

Kufijtë e paqartë janë gjithmonë burim konfliktesh, përballjesh dhe luftërash. Historikisht, shumica e luftërave kanë nisur për territore.

Nuk ka asgjë të gabuar nëse diçka ka kufizime gjeografike dhe pranë tij është një entitet tjetër. Këto entitete duhet të bashkëpunojnë si partnerë. Është e rëndësishme të sigurohet se kufijtë gjeografikë nuk paraqesin një perde hekuri.

RADIO EVROPA E LIRË
Doja të ndalesha tek kjo temë, për të cilën keni folur dhe më parë. Ku duhet të jenë kufijtë e NATO-s? Në ç'anë të kufirit i shihni Ukrainën dhe Gjeorgjinë?

VACLAV HAVEL
Nuk më takon mua ta marr këtë vendim. Kjo varet nga Aleanca si tërësi dhe nga vullneti i vendeve për të cilat flasim. Ka një numër faktorësh që ndikojnë.

Personalisht, nëse do të paraqisja vizionin tim afatgjatë, NATO-ja duhet të ketë kufijtë e Evropës. Kjo do të thotë që kufijtë e aleancave si Bashkimi Evropian duhet të përfundojnë në kufijtë e Rusisë, ku fillon një qytetërim i madh euro-aziatik. Kjo hapësirë është plotësisht e barabartë me qytetërimin tonë, por është e ndryshme.

Nuk ka dyshim dhe fakti tjetër se themelet e organizatave si NATO dhe BE mbështeten mbi vlera, por unë po theksoja përbërësen gjeografike.

Ka 200 shtete në botë dhe e ardhmja qëndron në një lloj grupimi rajonal dhe në bashkëpunimin e frytshëm. Që kjo të ndodhë, entitetet duhet të dinë ku fillojnë e ku mbarojnë. Për këtë arsye po nënvizoja aspektin gjeografik.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e dimë, Rusia, në njëfarë mënyre, është perandori e madhe. Ku fillon dhe ku mbaron Rusia? Për shembull, a duhet të jetë Çeçenia pjesë e Rusisë apo jo?

VACLAV HAVEL
Problemi qëndron se gjatë historisë, asnjëherë nuk është ditur saktësisht se ku fillon e ku mbaron Rusia. Personalisht, jam mbështetës jo vetëm i lirive individuale, por edhe i kombeve të lira.

Nëse kombi çeçen seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme dëshiron të jetë i pavarur, atëherë duhet ta ketë këtë të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbyllje z. President një pyetje të përgjithshme - shumë në botë dhe në Amerikë e shohin administratën Bush në mënyrë shumë kritike. Si pasojë, ideja e nxitjes së demokracisë nuk duket aq popullore për momentin. Si mendoni dhe a keni ndonjë këshillë për administratën e re?

VACLAV HAVEL
Kam folur rreth kësaj çështjeje shpesh me presidentin Bush. Çdo lloj eksporti i traditave dhe vlerave tona në pjesë të ndryshme të botës, e veçanërisht eksporti i detyruar i vlerave, është diçka realisht e rrezikshme.

Kjo nuk do të thotë se nuk kemi një përgjegjësi të përbashkët për atë që ndodh në botë apo se nuk duhet t'u vijmë në ndihmë atyre që janë në nevojë. E rëndësishme është që duhet peshuar mirë çdo rast individualisht, duhen parashikuar pasojat dhe duhet grumbulluar një mbështetje sa më e gjerë për një ndihmë të tillë.

Është me rëndësi të jashtëzakonshme të gjejmë baraspeshën e duhur. Por, nga ana tjetër, kjo duhet bërë në një mënyrë të tillë që të mos interpretohet si formë e re e kolonializmit apo si eksport vlerash drejt një bote që nuk mund të ketë të njëjtat vlera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG