Ndërlidhjet

“Hyseni i bindur për fundin e UNMIK-ut”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Gazetat e sotme raportojnë mbi mundësinë e njohjeve të reja, paralajmërim ky i bërë nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, me t’u kthyer ne Prishtinë nga Çekia, ku mori pjesë në samitin e ministrave të jashtëm të BE-së.

“Koha Ditore” shkruan se ministri Hyseni është shprehur i bindur edhe për fundin e UNMIK-ut, vendim ky që, sipas tij, do të merret shpejt nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke marrë shkas nga pjesëmarrja në samitin e Pragës dhe takimi tjetër që Hyseni pati në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, e përditshmja “Zëri” ngrit çështjen e dualizmit në përfaqësimin diplomatik të Kosovës.

Sipas kësaj gazete, edhe në Pragë, edhe në Nju Jork, i pranishëm përveç Hysenit ka qenë shefi i UNMIK-ut, Lambeto Zanier. Por, gazeta citon Hysenin të ketë thënë se delegacioni i Kosovës në Pragë ka qenë totalisht i pavarur,dhe se ai takim nuk ka paraqitur kurrfarë dualizmi, meqë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë marrë pjesë në takim vetëm në cilësinë e vëzhguesit.

Në këtë temë, gazeta tjetër “Kosova sot” citon Hysenin të ketë thënë se Kosova u përfaqësua si shtet i pavarur. Ndërkohë në një editorial të saj, kjo gazetë vlerëson ftesën që i është bërë Hysneit nga ana e presidencës së radhës së BE-së, duke thënë se ky mund të jetë një argument për avancimin e mëtejmë të Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe më gjerë.

Duke mbetur te prania e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, “Express” sjell një intervistë me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, i cili ka porositur që të mos politizohet misioni i tij në fushën e sundimit të ligjit, duke i atribuuar çështjet, të cilat, sipas tij, nuk janë pjesë e mandatit të EULEX-it.

“Disa njerëz po provojnë të politizojnë ose instrumentalizojnë EULEX-in, duke thënë se EULEX-i duhet të bëjë këtë ose atë. EULEX-i ka status neutral”, ka thënë Kermbaon.

I pyetur nëse EULEX-i është neutral karshi statusit, Kermabon ka thënë se EULEX-i është mision teknik.

“Ko do të thotë se unë fare nuk jam përgjegjës ose i përfshirë në çështje politike të statusit. Në mandatin tim nga BE-ja nuk ka asnjë referencë për këtë”, citon gazeta “Express” Yves de Kermabon.

Ai më tutje ka thënë se 6-pikëshi nuk është aspak përgjegjësi e as vendim i EULEX-it, ndërsa ka shtuar se secili gjykatës ka mundur të vendosë se çfarë ligji të përdorë, duke theksuar se edhe gjykatësit shqiptarë përdorin rregullore të UNMIK-ut.

Ndërkaq, e përditshmja “Lajm” ka një artikull mbi kthimin e fondeve të privatizimit, që gjenden në institucionet financiare jashtë vendit.

Kjo gazetë shkruan se ende mbetet e paqartë se kush e mban të bllokuar nismën për kthimin e rreth 400 milionë eurove të Fondit të Privatizimit në Kosovë.

Gazeta citon drejtorin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, të ketë thënë se është kërkuar sërish nga Banka Qendrore e Kosovës që të lejojë kthimin e fondit. Por, sipas gazetës duket të jetë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ai që nuk lejon kthimin e këtij fondi, nga frika se paratë mund të rrezikohen për shkak të jostabilitetit ekonomik.
XS
SM
MD
LG