Ndërlidhjet

Për shkak të rënies së aksioneve në tregjet globale, vlera e investimeve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka rënë për 20 për qind. Udhëheqës të Trustit pohojnë se vetëm gjatë këtij viti vlera e aksioneve të këtij fondi ka rënë mbi shtatë për qind.


Vazhdon të bjerë vlera e aksioneve të Trustit Pensional të Kosovës. Vetëm gjatë këtij viti, vlera e aksioneve të këtij fondi të investuar në tregjet financiare ndërkombëtare ka rënë mbi shtatë për qind.

Kështu thotë Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor i Trustit, duke shtuar se vetëm në muajin shkurt, çmimi i aksioneve ka rënë për 4.3 për qind, apo, shprehur në vlerë monetare, aksioneve të kursimeve të kosovarëve u ka rënë vlera mbi 10 milionë euro.

Është pritur që edhe ky vit të jetë vit mjaft i vështirë - gjë kjo që edhe ka ndodhur. Ka vazhduar rënia e investimeve në përgjithësi, jo vetëm tonat, por edhe të investitorëve të tjerë. Sidoqoftë, kemi një rënie prej 7.5 për qind në çmimin e aksionit, që reflektohet në një vlerë prej 18 milionë eurosh”, theksoi Hatipi.

Nga afro 300 milionë euro të Trustit që gjenden në bankat jashtë Kosovës, vlera e investimeve ka rënë për 20 për qind, thotë ai.

“Nëse e marrim prej themelimit të Trustit e deri më tash, çmimi i aksionit ka rënë në 20 për qind. Por, nëse e marrim prej pikut, apo kur kemi pasur investime, atëherë investimet kanë rënë në 37 për qind”, thotë Hatipi.

Ndryshe, Bedri Selmani, ekspert për çështje ekonomike, thotë se Trusti nuk ka pasur mundësi për investime më stabile, duke marrë parasysh krizën që ka prekur tregjet ndërkombëtare.

“Është çështje diskutabile; duhet ta kemi të qartë recensionin dhe krizën globale që kanë përfshirë vitin e kaluar tërë ekonominë globale; aty ne kemi banka, fonde të ndryshme, që kanë pasur ekspertë kulminantë dhe kanë pasur humbje deri në bankrot”, u shpreh Selmani.

Megjithatë, Trusti momentalisht ka rreth 260 mijë kontribuues, prej të cilëve rreth 5 mijë janë pensionuar dhe i kanë tërhequr kursimet e tyre me humbjet e regjistruara.

“Personat, të cilët i kanë tërhequr kursimet e tyre me humbje, janë ata që po i tërheqin paratë prej gjysmës së 2008-ës e tutje. Ndërkaq, kush i ka tërhequr kursimet më 2004-2005, e posaçërisht në vitin 2007, ka pasur një përfitim të mirë të kursimeve”, tha Vërshim Hatipi.

Sidoqoftë, 5 milionë euro grumbullohen çdo muaj nga kontributet e reja pensionale, ndërsa mbesin në arkat e Bankës Qendrore të Kosovës, pasi që ende mungon bordi për t’i vendosur kriteret për shpërndarjen e tyre.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG