Ndërlidhjet

Fillon përzgjedhja e ambasadorëve


Një panel përzgjedhës, që do të formohet këtë javë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, do të bëjë përzgjedhjen e listës së ngushtë të kandidatëve për ambasadorët e parë, të cilët Kosova do t’i dërgojë sivjet në 18 shtete botërore.


Mbi 300 kandidatë kanë konkurruar për 18 vende të ambasadorëve që Kosova do t’i dërgojë sivjet nëpër ambasadat e saj në vende të ndryshme botërore.

Ky numër kandidatësh do të ngushtohet në konkurrencën prej 3 kandidatëve për secilën ambasadë, ka sqaruar ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Ai tha se është në formim e sipër një panel përzgjedhës, i cili do të seleksionojë, e më pas edhe intervistojë kandidatët.

Gjatë javës, sapo që të formohet ky panel, do të fillojë edhe hartimi i pyetësorëve për kandidatët, të cilët do të hyjnë në rrethin e ngushtë të përzgjedhjes, tha ministri Hyseni.

“Një listë prej së paku tre kandidatëve për secilin post i shkon komisionit parlamentar për punë të jashtme, për dëgjim. Pastaj, komisioni parlamentar për politikë të jashtme mund të rekomandojë një nga ata që janë dërguar dhe përfundimisht i takon presidentit të Republikës që të vendosë se cilin do ta dekretojë dhe për ku (cilin vend)”, thotë Hyseni.

Në listën e kandidatëve ka edhe disa nga zyrtarët e partive politike. Bazuar në kriteret e parapara, posti i ambasadorit rregullohet si funksion jopartiak.
Ministri Skënder Hyseni thotë se instancat më të larta shtetërore, përfshirë edhe presidentin, do të angazhohen që ky proces të përmbyllet me sukses dhe pa ndikime politike.

“Natyrisht që gjatë gjithë kësaj periudhe, Ministria e Punëve të Jashtme do të bashkëpunojë ngushtë edhe me Zyrën e Presidentit, edhe me Zyrën e Kryeministrit, për të siguruar që procesi të jetë transparent dhe për të siguruar që procesi të shkojë absolutisht si duhet”, thotë ministri Hyseni.

Vitin e kaluar, Kosova kishte hapur 10 misione diplomatike, me nga një të ngarkuar me punë dhe sekretarin e parë të ambasadës.

Atëkohë, prioritet u ishte kushtuar vendeve më me ndikim në politikën botërore si dhe atyre të Ballkanit, siç janë Shqipëria dhe Turqia. Kurse sivjet parashihet hapja e tetë misioneve të reja, ndër të cilat edhe ato në shtetet e dala nga ish-Federata Jugosllave.

Gjithashtu parashihet që misionet diplomatike të Kosovës të zgjerojnë edhe numrin e personelit, në mënyrë që të jenë sa më funksionale, qoftë në prezantimin e politikës së Kosovës jashtë, apo edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për kosovarët që jetojnë në shtete të caktuara botërore.
XS
SM
MD
LG