Ndërlidhjet

Strukturat paralele manipulojnë me romët (!)


Kampi në Mitrovicë

Kampi në Mitrovicë

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke punuar intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje për banorët romë, të cilët jetojnë në dy kampe refugjatësh në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, pohon se institucionet e vendit janë të informuara me gjendjen e banorëve atje, por, sipas tij, gjendja vazhdon të jetë e tillë, pasi që vetë banorët nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet.

“Normalisht që Qeveria ka përgjegjësi ekzekutive në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ne, në momentin kur i kemi marrë këto përgjegjësi, e kemi gjetur kampin në një gjendje tepër të ultë dhe në fakt me një nivel edhe më të ultë të përkrahjes financiare, sesa në të kaluarën”.
“Edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, edhe Zyra për komunitete në kuadër të Zyrës së kryeministrit, edhe palë të tjera kanë ofruar zgjidhje të mundshme. Ne shpresojmë që do të gjendet një zgjidhe, normalisht me pajtimin dhe bashkëpunimin e komunitetit. Por, deri tash, zgjidhja nuk është gjetur, për arsye se ka diskordancë ndërmjet banorëve të këtyre kampeve”, u shpreh Krasniqi.

Lidhur me gjendjen e këtij komuniteti në Kosovë, së fundi kanë reaguar edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, duke konkluduar se në atë pjesë të Kosovës janë evidentuar shkelje të të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë konsideron se banorëve romë, të cilët jetojnë në ato dy kampe refugjatësh që nga paslufta, po u shkelen rëndë të drejtat e tyre.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, konsideron se institucionet e vendit, edhe nëse duan t’u ndihmojnë diçka atyre njerëzve, nuk mund të bëjnë asgjë.

“Kjo është ekskluzivisht përgjegjësi e ndërkombëtarëve dhe përgjegjësi e Serbisë. Institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë qasje në ato kampe. Nuk mund t’u ndihmojnë, edhe po të duan, banorëve të atyre kampeve. Ne, shumë më herët, kemi paralajmëruar për gjendjen e rëndë, në të cilën gjenden romët në ato kampe; shkak - koncentrimi i plumbit në ajër është shumë i madh atje”, tha Shala.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se planet dhe projektet e institucioneve të vendit nuk po mund të realizohen, kryesisht për shkak se, siç thotë ai, banorët atje, veç tjerash, mund të jenë të manipuluar edhe nga strukturat paralele serbe.

Padyshim që ka mundësi që të ketë një përfshirje të strukturave paralele serbe në këtë manipulim. Por, për ne më e rëndësishmja është që të gjejmë një zgjidhje për të gjithë qytetarët e Kosovës të përkatësisë rome, që fatkeqësisht jetojnë në këto kampe me kushte shumë të vështira”, theksoi Krasniqi.

Se romët e atij kampi janë të manipuluar nga strukturat paralele, e thotë edhe zoti Shala, nga KMDLNJ-ja.

“Ata janë kryesisht të manipuluar, janë nën kontroll të strukturave paralele. Edhe Qeveria e mëparshme ka shfaqur gatishmëri t’u ndihmojë, mirëpo nuk ka pasur mundësi, meqë atje Serbia menaxhon me ato kampe”, deklaroi Shala.

Sido që të jetë, nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut është thënë se jeta dhe shëndeti i këtyre banorëve është i kërcënuar nga sasia e madhe e plumbit në gjak, për shkak të zonës së kontaminuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG