Ndërlidhjet

logo-print

“UNMIK-u do mbështetjen e Feithit”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Kërkesa e Prishtinës zyrtare drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shuarjen e misionit të UNMIK-ut, është një kërkesë e njohur tanimë. Mirëpo, e përditshmja “Koha Ditore”, një kërkesë të tillë e quan inekzistente për disa arsye.


Sipas kësaj gazete, mocioni për mbylljen e misioneve të OKB-së duhet të paraqitet nga shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe se Kosova, e cila nuk është anëtare e këtij mekanizmi, sipas burimeve të “Koha Ditore”, që citohen në shkrimin e kësaj të përditshmeje, nuk mund të paraqesë një kërkesë të tillë.

Roli i UNMIK-ut në Kosovë, sipas të përditshmes “Lajm”, ndërkohë, do të jetë një rol vëzhgues politik.

Misioni i këtij mekanizmi në Kosovë, sipas kësaj gazete, do të reduktohet deri në 500 veta deri në qershor të këtij viti, nga 5000 sa kishte në muajin janar.

Sipas gazetës “Kosova Sot”, UNMIK-u po vazhdon përpjekjet të aranzhojë kontakte dhe bisedime të drejtpërdrejta në mes të Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike.

Sipas artikullit të kësaj gazete për këtë temë, administrata e OKB-së në Kosovë po kërkon mbështetjen e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, për zhvillimin e këtyre kontakteve.

Diplomati holandez, Feith, sipas gazetës, nuk do të jetë i gatshëm për të qenë pjesë e bisedimeve nëse ato nisen nga gjashtëpikëshi apo ndonjë dokument tjetër.

Paralajmërimet për vizitën e Obamës në Evropë pasqyrohen pothuaj në të gjitha të përditshmet kosovare. Presidenti amerikan, Obama, i cili pritet të vizitojë Evropën në ditët e para të muajit prill, pritet që në kuadër të turneut të tij evropian të zhvillojë takime me liderët kryesorë botërorë.

Sidoqoftë, gazetat kosovare duket se janë përqendruar më tepër në takimin e ardhshëm ndërmjet numrit një të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryeministrit të Spanjës, Jose Luis Zapatero, takim ky që pritet të zhvillohet përgjatë punimeve të samitit SHBA-BE në Pragë.

“Kosova Sot” shkruan se pjesë e diskutimeve të këtij takimi, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të mbahet më 5 prill, kur dhe mbahet samiti në fjalë, do të jetë Kosova, përkatësisht vendimi i shtetit spanjoll për tërheqjen e kontingjentit të tij ushtarak në kuadër të NATO-s nga Kosova.

Kështu pohon dhe e përditshmja "Zëri", e cila, në një njoftim të sajin mbi këtë takim, e quan befasues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendimin e mëparshëm te Madridit zyrtar për tërheqjen e ushtarëve nga KFOR-i.

“Zëri” citon dhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Frattini, të ketë thënë se nuk është çasti, siç thuhet, për të tërhequr ushtarët që shërbejnë në kuadër të NATO-s nga Kosova.

Ndërkaq, në një intervistë dhënë gazetës kosovare “Express”, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, rrëfen historinë e tij për Kosovën, ku gjithashtu përshkruan qëndrimin e shtetit shqiptar karshi Kosovës përgjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës, pastaj për Qeverinë e Ramiz Alisë dhe ngjarje të tjera interesante që përshkruajnë marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.
XS
SM
MD
LG