Ndërlidhjet

(Ri)kthehet shovinizmi i Qosiqit të zhgënjyer


Beograd
Beograd

Akademiku serb, Dobrica Qosiq, që ka shkuar pas Titos, Millosheviqit, Koshtunicës e tash dhe Tadiqit, në librin e fundit të tij sërish shpërthen në shovinizëm ndaj shqiptarëve. Analistët thonë se kjo është faza e zhgënjimit përfundimtar të Qosiqit.

Akademiku serb, Dobrica Qosiq, ka deklaruar këto ditë se Serbia duhet të dalë me propozime për një marrëveshje me shqiptarët dhe ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se copëtimi i Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe serbët.

Në librin "Koha e gjarpërinjve", Dobrica Qosiq paraqet pikëpamjet e tij gjatë kohës së intervenimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi. Në këtë libër, siç pohon shtypi beogradas, ka edhe qëndrime shoviniste.

Shkrimtari Vidosav Stevanoviq thotë se Dobrica Qosiq, gjatë jetës së tij, disa herë ka ndryshuar qëndrimet politike, por në fund është përcaktuar për panserbizmin, për të cilin angazhohet tash 30 vjet.

"Sa më shumë dëme që ka bërë politika e tij, aq më e vlerësuar ka qenë. Mjerisht, edhe poltikanët që dolën në skenë pas Millosheviqit, kanë përvetësuar një pjesë të qëndrimeve të tij, duke bërë dëm të madh deri në ditët e sotme", thotë Stevanoviq, i cili Qosiqin e cilëson intelektual oportunist.

Libri "Koha e gjarpërinjve"
"Qosiqi është njeri që i përshtatet çastit dhe që miraton ato ide që i duken më popullore. Ky njeri është i interesuar vetëm për pushtet dhe asgjë tjetër",
thotë Stevanoviq.

Një shkirmtar tjetër nga Serbia, Filip David, thotë se Qosiqi në rrugën e vet politike ka qenë i afërt me Titon, Millosheviqin, Koshtunicën, ndërsa tash edhe me Tadiqin.

"Ajo që është më bizarja në gjithë këtë rrëfim, qëndron në faktin se atë e mbështet njësoj si e majta, ashtu edhe e djathta. Esenca e kësaj politike, flas për Qosiqin si politikan, është shumë tradicionaliste dhe anti-reformiste, dhe kjo i shkon për shtati një pjese të konsiderueshme të popullit serb, që mashtron veten se gjithë bota na urren. Por, kjo politikë u konvenon edhe qarqeve të pushtetit", konkludon Filip David.

Libri "Koha e Gjarpërinjve" është një ditar i Dobrica Qosiqit, që përfshin periudhën nga 21 marsi i vitit 1999, deri më 1 janar të vitit 2000.

Në libër, siç pohon edhe shtypi beogradas, ka qëndrime shoviniste.

Për shembull, kur flet për dallimin e kodit etnik shqiptar dhe serb, Dobrica Qosiq pohon se "kjo shtresë sociale, politike, morale dhe barbare e Ballkanit bëhet aleat i Amerikës dhe BE-së në luftën kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të arsimuar të Ballkanit - popullit serb".

Analisti politik, Sllobodan Antoniq, pohon se kohëve të fundit hetohet zhgënjim te Qosiqi.

"Kemi të bëjmë me një Qosiq të lodhur, të zhgënjyer, madje edhe fatalist, një Qosiq që konsideron se të gjitha idetë e tij kanë vdekur dhe se në vepër është diskontinuiteti ndërmjet asaj për çka është angazhuar dhe asaj që tani ekziston në Serbi", konkludon analisti Sllobodan Antoniq.
XS
SM
MD
LG