Ndërlidhjet

logo-print
Ekspertë të shëndetësisë nuk shohin ndonjë përmirësim të shpejtë në fushën e shëndetësisë, me strukturat e tanishme që janë në krye të udhëheqjes së sistemit shëndetësor.


Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, përkundër mjaft pengesave, ata kanë arritur që Kosova të mund të shënojë rezultate të dukshme në përmirësimin e gjendjes në këtë sektor.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se janë bërë reforma të thella në sektorin e farmacisë dhe gjithashtu, sipas tij, janë lehtësuar procedurat e importit të barnave nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Pengesat në reformat e vendit janë pengesa që janë hasur në vendet tjera në tranzicion - menaxhimi i vjetërsuar që nuk funksionon në ekonominë e kohës në të cilën jetojmë, buxheti aktual nuk mundëson që të ketë shumë prioritet, papunësia e madhe, numri i vogël i atyre që paguajnë taksa, numri i madh i atyre që nuk paguajnë fare për shërbime dhe ngecja në zhvillimin e organeve të drejtësisë”, thotë zoti Gashi.

Si pjesë tjerë të reformimit të sistemit shëndetësor në Kosovë, ministri Gashi fut në fokus mjekësinë private, ku kanë bërë licencimin e institucioneve private shëndetësore, dhe gjithashtu pohon se janë në fazën e ndërrimit të Ligjit për shëndetësi, i cili do të ofrojë ndarjen e mjekësisë publike nga mjekësia private.

Megjithatë, eksperti i shëndetësisë, Ilir Tolaj, gjendjen aktuale në sistemin shëndetësor në Kosovë e quan alarmante. Sipas tij, sistemi shëndetësor dhe shërbimet shëndetësore, të cilat ofrohen në spitalet e Kosovës, janë nën nivelin e duhur.

“Përderisa kemi një involvim të politikes në shëndetësi, përderisa faktorë të caktuar politikë përzihen në veprimet edhe të nivelit më të ultë të sistemit shëndetësor, ne asnjëherë nuk do të kemi një sistem shëndetësor, i cili do të funksionojë ashtu si duhet, e lëre më një reformim të sistemit shëndetësor”,
shprehet zoti Tolaj.

Një përshkallëzim i së keqes për ekspertin e shëndetësisë, Tolaj, ka ndodhur në vitin e fundit të qeverisjes së re, ku në vendet e caktuara udhëheqëse dërgohen njerëzit, të cilët, sipas tij, nuk kanë njohuri adekuate në sistemin shëndetësor, si dhe njohuri të problemeve të shëndetësisë në Kosovë.

Për reformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, eksperti i shëndetësisë thotë se duhet të bëhet ndërrimi i sistemit financiar shëndetësor, si dhe të përcaktohet një vlerë për kokë banori që është e përafërt me regjionin dhe në atë bazë të ndahet buxheti.

“Sikur sot të bëhen këto ndryshime, të jetë gatishmëria politike për të ndërruar klimën aktuale në shëndetësi, si dhe shëndetësia të vihet në prioritet real të politikes së vendit dhe të investohet në angazhimin e njerëzve që kanë kredibilitet dhe janë profesionalë... Neve do të na duhen 5 deri në 10 vjet. Nëse vazhdohet me këto improvizime, me këtë përzierje të politikës së keqe në shëndetësi, atëherë parashikimet do të jenë deprimuese”, thotë zoti Tolaj.

Ndërkaq, sa i përket akuzave të disa ekspertëve të shëndetësisë se sistemi shëndetësor po ndikohet nga politika, zoti Gashi pohon:

“Në momentin kur bëhen zgjedhjet, zgjidhet një ministër që ka ardhur me një politikë për ta zbatuar në shëndetësi dhe ai zbatim bëhet në bazë të ligjeve dhe në bazë të proceduarve transparente”.

Duke i quajtur këto akuza qesharake, Gashi thotë se angazhimi i tij në shëndetësi është që të mos ketë pozitë dhe opozitë, por të ofrojë një bashkëpunim të gjithanshëm, sepse shëndetësia dhe reformat e shëndetësisë, siç thotë ai, nuk bëhen për një strukturë, por bëhen për tërë vendin dhe janë reforma që zgjasin më shumë se një mandat.

Ministri Gashi thekson se kërkesa dhe angazhimi i tij është që shëndetësia të bëhet prioritet nacional.

Ndryshe, sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta dhe shumë herë është akuzuar edhe për shërbim jocilësor ndaj pacientëve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG