Ndërlidhjet

A mund të shuhen strukturat paralele me investime?


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore
Zyrtarë qeveritarë të Republikës se Kosovës thonë se me investime në vendbanimet e banuara me serbë, do të bëhet i pamundur funksionimi i strukturave paralele. Një nga veprimet e fundit të Qeverisë në këtë drejtim ishte investimi në ndërtimin e ambulancës së djegur në Kamenicë, e cila thuhet se funksionon si strukturë paralele.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, porosit qytetarët që të mos shqetësohen nga investimet e Qeverisë, kudo që të bëhen ato.

“Logjika po ndryshon. Nuk duhet t’i frikësohemi ndërtimit të objekteve që janë për humanizëm, për shëndetësi, për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ne kujdesemi edhe për qytetarët serbë, sikur që ata do t’i kryejnë obligimet para shtetit të Kosovës. Unë besoj që bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in, ne do të vendosim rendin dhe ligjin dhe kushdo që është në kundërshtim me rendin dhe ligjin, do të përballet. Ajo ditë do të vijë shpejt”, u shpreh Kuçi

Kthimi dhe integrimi i komunitetit serb ka qenë prioritet për pothuaj secilën qeveri. Por, në shumë raste, zyrtarët kosovarë kanë thënë se ka munguar vullneti i serbëve për integrim dhe se shumë nga serbët lokalë kanë mbajtur sytë të kthyer kah Beogradi.

Pavarësisht kësaj, Qeveria, sipas zëvendësministrit për Kthim dhe Komunitete, Ismet Hashani, insiston në një kthim të qëndrueshëm. Ai thotë se Ministria e Kthimit është e gatshme t’i ndihmojë të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë një jetë më normale në vend.

“Ka edhe strategji të tjera, mirëpo kjo e fundit është një punë në vepër dhe Qeveria ka strategjinë që në etapa të caktuara, dalëngadalë, t’i bëjë ato jofunksionale. Kuptohet, së bashku edhe me ndërkombëtarët, sepse ato dëmin më të madh ua bëjnë qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në Republikën e Kosovës”,
tha Hashani.

Edhe analistët politikë, përpjekjet e institucioneve kosovare për integrimin e serbëve në jetën institucionale, i konsiderojnë si të rëndësishme. Analisti Ramush Tahiri pohon se investimi në rajonet ku jeton komuniteti serb, do ta bëjë më të lehtë integrimin e tyre.

“Rajonet ku është komuniteti serb i integrojmë në strukturat e Kosovës dhe gjithmonë serbët lokalë dëshirojnë të kenë punë, dëshirojnë të kenë mirëqenie, dëshirojnë në njëfarë forme të jenë të varur edhe prej Serbisë, por, para së gjithash, e pranojnë realitetin që jetojnë në Kosovë. Çfarëdo programi që bën Qeveria dhe që ka për qëllim zhvillimin e komunitetit dhe integrimet brenda Kosovës, është i mirë”, pohoi Tahiri.

Megjithatë, Tahiri thotë se Kosova duhet të ketë një projekt konkret dhe nuk duhet të lejojë që investimet nga Serbia të jenë më të favorshme për serbët e Kosovës.

“Nëse Kosova nuk ka program konkret dhe nëse programi i Serbisë është efikas në Kosovë, normalisht që popullata serbe e Kosovës do ta përkrahë programin e Serbisë. Mirëpo, nëse Kosova ndihmon edhe në postë, edhe në telekomunikacion, edhe në ndërtimin e rrugës, edhe në infrastrukturën administrative dhe në infrastrukturën tjetër të fshatit, normalisht që do ta kishin përkrahur këtë program të Qeverisë”, tha Tahiri.

Ndryshe, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës vazhdimit u bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës që t’u binden institucioneve të Kosovës dhe mos t’i dëgjojnë thirrjet e Beogradit për bojkotim të tyre.
XS
SM
MD
LG