Ndërlidhjet

Pengesat në zbatimin e Kushtetutës


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Institucionet, fajin për moszbatim të Kushtetutës së Kosovës në veri, ia hedhin pothuaj ndërhyrjes së Serbisë përmes strukturave paralele serbe. Por, juristët kosovarë vlerësojnë se Kushtetuta dhe ligjet shkelen edhe në pjesën tjetër të Kosovës.


Serbët e Kosovës, sidomos ata të përqendruar në veri të vendit, në masë të madhe vazhdojnë të mos respektojnë aktin më të lartë juridik të vendit. Por, Kushtetuta, sipas juristëve kosovarë, nuk është se nuk zbatohet vetëm në pjesën veriore.

Juristi Ismet Salihu vë në pah mungesën e sundimit të ligjit në veriun e vendit. Por, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë për ta shndërruar Kosovën në një shtet ligjor.

“Moszbatim konsekuent të dispozitave kushtetuese ka edhe në pjesë tjera të Kosovës, e jo vetëm në veri, për shkak se edhe sot e kësaj ditë ende nuk janë nxjerrë të gjitha ligjet e domosdoshme për funksionimin e shtetit ligjor, por edhe ato ligje që janë nxjerrë nuk janë duke u zbatuar në masën e duhur”, u shpreh Salihu.

Kuvendi i Kosovës, sipas juristëve, ka miratuar ligje që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por, lë për të dëshiruar shumë zbatimi i tyre. Ismet Kryeziu, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se ka një sërë ligjesh që në vazhdimësi nuk zbatohen.

“Mungesa e zbatimit të ligjeve vërehet ndokund. Ne kemi rastin e Ligjit për arsimin, i cili u miratua para 7-8 vjetësh. Ai ka paraparë financimin me tekste shkollore të nxënësve në nivelin e ultë të arsimit, e kjo tek këtë vit, në mënyrë të pjesshme, ka nisur të zbatohet. Ka shumë ligje që në vazhdimësi mbesin të paimplementuara”, thekson Kryeziu.

Mungesa e zbatimit të ligjit rrjedhimisht përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Ndërkohë, është kjo pazbatueshmëri, që, sipas juristëve, do t’i shkaktojë Kosovës pengesa të mëdha në arritjen e synimit të saj - integrimi në strukturat euroatlantike.

Ismet Salihu shpjegon:

“Një ndër kushtet elementare për integrimin e Kosovës është funksionimi i shtetit ligjor".

Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shoqatë kjo që monitoron punën e institucioneve, më qëllim që të zhvillojë demokracinë në vend, thotë se deri më tani, Kosovës i kanë munguar mekanizmat për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

“Qeveria apo Parlamenti i Kosovës shumë pak është angazhuar në mbikëqyrjen e ligjeve dhe kjo mbase ka ardhur si rezultat i asaj që vetë Parlamenti është i ri”, theksoi Kryeziu.

Ndryshe, shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë vënë në pah se Kosova ka ligje të avancuara dhe që respektojnë të drejtat e njeriut, por ato mbesin vetëm në letër.

Ngjashëm, sipas raporteve të ndryshme, ndodh edhe me vendimet gjyqësore, sidomos në rrafshin civil, të cilat nuk gjejnë zbatim. Sipas juristëve, nëse nuk gjendet zgjidhje, këto mangësi do të bëjnë që Kosova të jetë larg shtetit ligjor.
XS
SM
MD
LG