Ndërlidhjet

Iker: Duhet të shmanget votimi familjar në raundin e dytë


Peter Iker
Peter Iker
Shefi i misionit të OSBE-së, ODIHR, Peter Iker, në një intervistë për radion Evropa e Lirë, deklaroi se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale, në masë të madhe, u respektuan të drejtat e njeriut, edhe pse në ditën e zgjedhjeve është vërejtur dukuria e votimit familjar, ndërsa organet zgjedhore e bënë punën e tyre në pajtim me ligjin, por kanë ngelur ende disa çështje që kërkojnë zgjidhje.

Iker thotë se gjithashtu problem paraqesin presionet dhe frikësimet ndaj qytetarëve në periudhën para votimeve.

“Rekomandimet tona për zgjedhjet do të theksohen në raportet që do të publikohen pas përfundimit të procesit zgjedhor. Mendoj se nevoja e revidimit të listës së votuesve dhe vërejtjet rreth votimit familjar, do të theksohen në raporte”.

“Një pjesë e madhe e qytetarëve që gjenden në listën votuese, nuk janë shtetas të Maqedonisë. Disa parti politike dhe kandidatët kanë shfaqur brengosje se lista unike votuese përmban më shumë votues, sesa realisht që ekzistojnë, gjë që hap mundësi për manipulime në ditën e zgjedhjeve”, tha Iker.

Iker shpreson se raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në atmosferë të qetë dhe demokratike.

“Dua të shoh zgjedhje të mira dhe çdoherë jam i lumtur kur mund të japim vlerësim pozitiv në fund të procesit zgjedhor. Shpresoj se pas dy javësh do të japim raport më pozitiv. Ekziston mundësia që në raundin e dytë të tejkalohen disa nga parregullsitë zgjedhore, siç është votimi familjar”, u shpreh Iker.

Peter Iker deklaroi se përveç ditës së zgjedhjeve në raundin e dytë, do të vëzhgohet edhe periudha prej dy muajsh pas përfundimit të procesit zgjedhor, me qëllim që të shihet se sa respektohen standardet demokratike ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG