Ndërlidhjet

Kosova ka disa ndërmarrje jashtë territorit të saj, por ende nuk është bërë evidentimi i pronës, e as privatizimi i ndonjërës prej tyre. Kështu thonë anëtarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, Kosova duhet dhe do të kujdeset për asetet e veta.


Autoritetet përgjegjëse pohojnë se institucionet e Kosovës duhet të mbikëqyrin ndërmarrjet shoqërore që gjenden jashtë Kosovës.

Haxhi Arifaj, anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thotë se edhe pse deri më tash asnjë ndërmarrje jashtë Kosovës nuk është privatizuar, tashmë do të fillojë të bëhet evidentimi i pronës në shtetet që pretendohet që gjenden asetet.

Faktikisht është edhe kërkesë e anëtarëve të bordit tani, që në këtë drejtim sa më shpejt të bëhen hulumtime dhe të punohet për këto ndërmarrje që gjenden jashtë territorit të saj (Kosovës)”, tha Arifi.

Ndryshe, gjiganti ekonomik “Trepça” asetet e veta i ka pasur edhe jashtë Kosovës, sidomos në Serbi; Banka e Kosovës, e njohur me emrin Bankos, po ashtu ka pasur filialet në Beograd dhe në Ulqin; ndërkaq, në Mal të Zi, Kosova ka pasur pushimoren për punëtorë dhe për fëmijë.

Ibrahim Rexhepi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se deri më tani asnjë institucion kosovar nuk është marrë në mënyrë të duhur me këtë çështje. Ai thotë se juristët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit duhet të shfletojnë ligjet ndërkombëtare, ato të Serbisë e të shteteve të tjera, ku pretendohet se Kosova ka asetet, me të vetmin qëllim që të gjejnë mundësinë për përfitim sa më të madh.

“Problemi është dashur të gjendet në formën si i kanë zgjidhur problemet ndërmarrjet e dala nga ish-Jugosllavia, mirëpo Kosova nuk e ka pasur atë fat që e kanë pasur ato. Do të thotë që ato është dashur vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetet të krijojnë marrëveshje në mes vete, që t’i njihet e drejta pronësore një shteti në shtetin tjetër, apo eventualisht ato të jenë edhe tema për bisedime në mes tyre”, u shpreh Rexhepi.

Edhe Haxhi Arifaj thotë se për këto prona ka pasur probleme të shumta, pasi vendet në të cilat gjenden ndërmarrjet, po mundohen t’i përvetësojnë ato. Por, megjithatë, ai thotë se AKP-ja tashmë ka caktuar një avokat që të merret me këtë çështje.

“Ato do të hulumtohen që të kthehen ato prona. Ka pasur probleme juridike, por është duke u punuar. Tashmë është caktuar edhe një avokat kosovar që t’i përcjellë ato seanca rreth këtij problemi“, pohoi Arifi.

Ibrahim Rexhepi, ndërkaq, thotë se zgjidhja e vetme për këtë problem është që ndërmarrjet shoqërore të ngrenë padi gjyqësore në ndonjë institucion ndërkombëtar të drejtësisë.

“Ajo mbetet çështje që vetëm ndërmarrjet të ngrenë padi gjyqësore. Dihet që në Serbi ato nuk çojnë shumë peshë, për shkak se ajo nuk i njeh as ndërmarrjet shoqërore, as institucionet kosovare – mirëpo, në ndonjë institucion ndërkombëtar, por që do të ishte megjithatë një punë e rëndë”, tha Rexhepi.

Sidoqoftë, Ibrahim Rexhepi thotë se mund të ndodhë që ka edhe raste të tjera kur ndonjë individ, apo ndërmarrje, ka shitur pasurinë shoqërore pa dijen dhe lejen e autoriteteve përkatëse. Kështu që, sipas tij, gjyqësia duhet të hulumtojë duke mos kontestuar shitjen, por të gjurmojë se kah kanë shkuar paratë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG