Ndërlidhjet

BDI dhe VMRO-DPMNE arrijnë marrëveshje


Shkup - Ndërtesa e Parlamentit

Shkup - Ndërtesa e Parlamentit

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate, konfirmoi marrëveshjen me VMRO-DPMNE-në për mbështetje reciproke në raundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve lokale dhe presidenciale.

Në komunikatën e partisë së Ali Ahmetit thuhet se BDI dhe VMRO-DPMNE ranë dakord të ftojnë anëtarësinë dhe të gjithë qytetarët që në mënyrë sa më masive të dalin më 5 prill dhe të votojne kandidatin për president, Gjorgje Ivanov.

Më tej në marrëveshje thuhet se në frymën e thellimit të bashkëqeverisjes së suksesshme dhe në funksion të avancimit të proceseve integruese, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-ja janë dakorduar që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale t’i mbështesin kandidatët e BDI-së për kryetarë komunash në Tetovë dhe Gostivar.

Sipas marrëveshjes, BDI-ja do të mbështesë kandidatët e VMRO-DPMNE-së në komunat: Jegunovcë, Krushevë, Sopishte, Demir Hisar, Çashkë, Cucer Sandeve, Zelenikove, Petrovec, Veles, Prespë, Ohër, Karposh dhe në qytetin e Shkupit.

Dy partitë në pushtet që kanë arritur marrëveshje, nuk deshën ta komentojnë këtë marrëveshje, ndërsa analisti politik, Qani Nuhiu, deklaroi se marrëveshja është arritur për qëllime politike, por, sipas tij, nuk do të mund të ketë efekt të plotë tek elektorati.

“Nëse analizojmë kapacitetin e realizimit të marrëveshjes tek elektorati, do të shohim se kjo varet nga dy faktorë objektivë. E para, sa dy partitë do të jenë bindëse për opinionin, veçanërisht për votuesit që i kanë pasur në raundin e parë, që të arsyetojnë se një marrëveshje e tillë është në dobi të dyanshme".

"Edhe e dyta, zgjedhjet presidenciale janë politike, por në ato lokale njerëzit nuk përcaktohen vetëm për partinë, por përcaktohen shpesh për kandidatët apo për interesa të tyre më praktike dhe më të ngushta”,
deklaroi zoti Nuhiu.

Në komunikatën e BDI-së thuhet se dy partitë shprehin kënaqësinë për funksionimin e mirë dhe të suksesshëm të koalicionit qeveritar, bashkëpunim i cili nga niveli qendror u zgjerua edhe në nivel lokal.

XS
SM
MD
LG