Ndërlidhjet

Vështirësitë përballë KQZ-së


Përfaqësues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë thonë se kohë më parë kanë vërejtur disa ndikime politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ata konsiderojnë se KQZ-ja duhet të mbetet një institucion i pavarur në organizimin e zgjedhjeve dhe nuk duhet të ketë ndikime politike.

Zëdhënësja e OSBE-së, Elli Flenn, thotë se organizata, të cilën ajo përfaqëson, po monitoron punën e KQZ-së dhe, siç thotë ajo, të gjithë duhet të angazhohen për të ruajtur pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Ne shohim se ende ka gjëra për t’u bërë në aspektin e ndërtimit të kapaciteteve në KQZ. Pra, ky institucion akoma duhet të përmirësohet dhe në këtë drejtim edhe OSBE-ja është duke punuar. Ne gjithashtu inkurajojmë udhëheqësit politikë të angazhohen në këtë proces dhe ta marrin atë seriozisht, sepse kemi pasur raste ku kemi vërejtur shenja të politizimit”.

“Pra, është shumë e rëndësishme që puna e KQZ-së të mbetet e pavarur, meqë, në fakt, është njëra ndër institucionet më të rëndësishme në Kosovë”, tha zëdhënësja e OSBE-së në Kosovë, Elli Flenn.

Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zait Xhemajli, thotë se KQZ-ja është e pavarur. Ai madje shpreh bindjen e tij se partitë politike nuk po bëjnë kurrfarë presioni për të ndikuar në vendimet e KQZ-së.

“Nga pikëpamja ime, në Komisionin Qendror Zgjedhor nuk ka politizim. Nuk kemi as presione; askush nuk na ka bërë kurrfarë presioni. Ne kemi pasur vetëm rastin e kryeshefit ekzekutiv, i cili për mua nuk çon peshë. Përndryshe, në asnjë rast tjetër nuk kemi kurrfarë presioni”, u shpreh Xhemajli.

Megjithatë, në disa raporte të publikuara kohë më parë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, është raportuar për politizimin e KQZ-së, gjë të cilën e thotë edhe zëdhënësja e OSBE-së, Elli Flenn.

“Po, ne kemi parë disa indikacione në lidhje me këtë - gjë që është përmendur dhe në raportet tona. Kohë më parë, partitë politike i kanë mbajtur larg takimeve të KQZ-së përfaqësuesit e tyre në këtë institucion. Tani, duket se gjithçka po shkon në rregull, por vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë ta marrin këtë çështje seriozisht për të mundësuar veprimin e pavarur të KQZ-së”, theksoi Flenn.

Kryesuesi i KQZ-së, Xhemajli, pohon se anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike, do të mundohen t’i përfaqësojnë interesat e tyre, por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të lejohet.

“Sigurisht që ata mundohen t’i prezantojnë qëndrimet e partive politike dhe çështje të tjera, por nuk kemi hasur deri më tash. E nëse vije deri te rezultatet e zgjedhjeve, te vërtetimi i listave, i kandidatëve, certifikimi... por, tash për tash, nuk mund të prejudikojmë se do të ketë. Unë e kam thënë në disa vende dhe po e them që KQZ-ja duhet të jetë e përbërë prej njerëzve profesionalë, e jo prej përfaqësuesve të partive politike. Mirëpo, në ligje është ashtu”, tha Xhemajli.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm, i cili përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe shpall rezultatet e tyre.
XS
SM
MD
LG