Ndërlidhjet

Thirrjet për investime


Anëtarësimi i Kosovës në forume të rëndësishme ekonomike botërore, siç është Forumi Ekonomik i Vjenës, në të cilin Kosova aderoi së fundi, ka një vlerë të shtuar për Kosovën, biznesin kosovar, si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kështu vlerësojnë përgjegjës në fushën e ekonomisë në Kosovë, të cilët theksojnë se, edhe përkundër krizës ekonomike globale, investitorë të huaj kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të investuar në Kosovë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se Kosova ka krijuar kornizën institucionale për partneritetin publiko-privat dhe gjithashtu, sipas tij, Qeveria po i kushton kujdes krijimit të infrastrukturës së nevojshme për investime, me qëllim të uljes së çmimeve të prodhimit.

“Kosova ka bërë një progres të madh. Kushdo që ka ardhur në Kosovë dhe ka pasur rast t’i kontaktojë drejtpërdrejt autoritetet kosovare dhe bizneset, besoj që ka ndërruar atë imazh, i cili do të jetë një proces për të ndryshuar”, u shpreh Shala.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në forumin ekonomik të Vjenës ishte një hap i rëndësishëm drejt perspektivës së shtetit të ri të Kosovës në zhvillimin ekonomik rajonal.

Ai thekson se pas mbajtjes së këtij forumi janë bërë shumë transaksione dhe marrëveshje të bashkëpunimit reciprok, të cilat, siç thotë ai, në një të ardhme shumë të afërt do të sjellin investime të konsiderueshme në Kosovë.

Megjithatë, ministri Shala thekson se duke pasur parasysh krizën ekonomike globale, e cila ka përfshirë mbarë botën, prezantimi i Kosovës tek shtetet që janë të gatshme të investojnë në Kosovë, do ta ndihmonte shumë vendin.

Sipas ministrit Shala, vetë fakti që në këtë forum morën pjesë mbi 120 përfaqësues të ndërmarrjeve të mëdha dhe të vogla, tregon se po shtohet interesimi dhe siguria për të investuar në Kosovë.

“Me politikat tona fiskale, me hapjen e mundësive për të investuar në sektorin publik, konsideroj që ne kemi hapur mundësitë që secila nga kompanitë prezente apo të tjera që do të vijnë pas, do të kenë mundësi të garojnë në oportunitetet dhe shanset e zhvillimit, qoftë ne sektorin e energjisë, të infrastrukturës rrugore dhe themelimit të partneritetit me biznesin lokal”, thotë ministri Shala.

Ndërkohë, edhe eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Sadiku, vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në këtë forum do të ndihmojë rritjen e investimeve të huaja në Kosovë. Por, shton ai, duke pasur parasysh krizën ekonomike globale, nuk mund të ketë investime që janë pritur të ndodhin.

“Çështja më kritike, sepse në të njëjtën kohë kemi një nivel të ultë të investimeve rajonale, të investimeve brenda rajonit dhe të investimeve jashtë rajonit në vendet e rajonit”, thotë zoti Sadiku.

Eksperti i ekonomisë thekson se përveç krizës ekonomike globale, e cila do të mund të ndikohet në investimet e huaja, janë edhe disa çështje tjera, siç është zhvillimi i transparencës tek institucionet, si dhe përmirësimi i qeverisjes me proceset zhvillimore.

“Kosova të bëhet një mjedis miqësor për investime dhe e tërë kjo duhet të shoqërohet me forcimin e shtetit ligjor, forcimin e sistemit të gjyqësisë, krijimin e një sistemi të pavarur të gjyqësisë, luftimin e korrupsionit”, vlerëson Sadiku.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, premton se anëtarësimi i Kosovës edhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë financiarë, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, do të ndodhë shumë shpejt.

Ndryshe, Republika e Kosovës është anëtarja e katërmbëdhjetë e grupit të shteteve që janë anëtare të Forumit Ekonomik të Vjenës.
XS
SM
MD
LG