Ndërlidhjet

"Vërejtjet e ICO-së kthjellin Qeverinë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Kohë-mbajtja e zgjedhjeve lokale vazhdon të jetë temë debati, ndërsa shtypi edhe sot i rezervon një vend të veçantë.

E përditshmja “Zëri” shkruan se zgjedhjet lokale mund të mbahen më 25 tetor ose më 1 nëntor. Por, kjo gazetë vë në pah se pengesa më e madhe për organizmin e zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, ka të bëjë me mosfunksionimin e duhur të KQZ-së, veçmas të Sekretariatit të tij.

“Zëri” shkruan se nuk është akoma e qartë se kur dhe si do të tejkalohet kjo pengesë dhe kur Sekretariati i KQZ-së do të nisë të punojë si duhet.

Ndërkohë, gazeta “Infopress” citon presidentin Fatmir Sejdiu, i cili është i mandatuar për të shpallë zgjedhjet, të ketë thënë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e paraparë.

Duke mbetur te e njëjta temë, e përditshmja “Kosova sot” shkruan se mospërcaktimi i datës së saktë për zgjedhjet, po nxit debate në Kosovë, ndërkohë që opozita është më e zëshmja.

Gazeta shkruan se ka kohë që debati për zgjedhjet është bërë bukur shumë i ethshëm dhe me përplasje midis personaliteteve politike. Ky debat, vlerëson “Kosova sot”, te populli po e sforcon bindjen se te ne politika është biznes fitimprurës dhe për të ia vlen të luftohet, ndërsa Kosova është ende pazar ku shitet gjithçka.

Një temë krejt tjetër shtjellon në ballinën e saj “Koha Ditore”, e që ka të bëjë me bordet e ndërmarrjeve publike.

Në fakt, sipas kësaj gazete, kanë qenë vërejtjet e Zyrës Civile Ndërkombëtare ato që kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të bëjë ndërrime në bordet e ndërmarrjeve publike, për të cilat Pieter Feith pati ngritur shqetësimin se po politizoheshin.

E përditshmja “Koha Ditore” ka cituar burime nga ICO-ja të kenë thënë se shqetësimet rreth një varg gabimesh, në mesin e të cilave edhe për emërimet ne bordet e këtyre ndërmarrjeve, janë adresuar në disa raste nga kjo Zyrë, ndërkohë që pritej vendimi i ekzekutivit.

“Nga Qeveria presim të ndjekë procedurat dhe ligjet. Presim përparime”, citon gazeta një zyrtar të huaj.

Ndërsa, Qeveria, sipas “Kohës Ditore”, përmes zëdhënësit Memli Krasniqi, ka thënë se po bëhet shqyrtimi përfundimtar i emrave dhe se gjatë ditës së sotme pritet finalizimi i kontratave me anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike.

Duke mbetur te ndërmarrjet publike, e përditshmja “Express”, përmes një shkrimi të saj, ngrit çështjen e pronësisë së hotel Grandit, hotelit më të madh në Kosovë, i privatizuar kohë më parë.

Nën titullin “I kujt është Grandi”, kjo gazetë shkruan se përfundimin e konfliktit mes pronarëve pretendues, Zylqif Berishës, Behxhet Pacollit dhe Remzi Ejupit për pronësinë në hotelin Grand, pritet që këtë muaj ta vulosë gjykata.

Sipas “Express”, që të tre kanë dokumente të mjaftueshme që paraqesin pronësinë e tyre, por janë të kundërta me njëra-tjetrën. Berisha deklaron se është pronar i vetëm, ndërsa Pacolli se ka 40 për qind të aksioneve.

Ndërsa, sipas dokumenteve që “Express” thotë t’i ketë grumbulluar, shihet se Zylqif Berisha ka një kontratë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit dhe me Komunën e Prishtinës si pronar legjitim i hotelit. Ndërsa, Behxhet Pacolli dhe Remzi Ejupi posedojnë marrëveshje mirëkuptimi dhe kontratë participimi për blerjen e hotelit.

“Express” shkruan se më 6 prill pritet të zhvillohet seanca e fundit gjyqësore për qartësimin e pronësisë.
XS
SM
MD
LG