Ndërlidhjet

Takimi i G20-ës u shoqërua me protesta në Londër. Në mesin e protestuesve kishte nga kundërshtarët e globalizimit, tek grupet anti-luftë apo njerëzit e prekur nga kriza ekonomike. Protestat përkonin me vizitën e parë si president të Barack Obamas në Evropë.


Një pjesë e madhe e Londrës qendrore, që përkon dhe me pjesën tregtare të kryeqytetit britanik, ka qenë e bllokuar për automjetet gjatë mbajtjes së takimit të G20-ës, përfaqësuesve të 20 ekonomive më të mëdha në botë.

Kordoni i policëve është përpjekur të mbajë nën kontroll disa grupe protestash.

Humori i mirë mbizotëronte fillimisht në të katër grupet e ndryshme të protestuesve, duke pasur parasysh që britanikët dinë ta përjetojnë të drejtën e tyre të protestës.

Protestuesit kishin vënë maska apo kostume të llojeve të ndryshme, të shoqëruar nga grupe muzikore.

Parullat ishin pjesë thelbësore e këtyre protestave. "Ne nuk paguajmë për krizën", "Merrni vendime të ndershme", apo "7 milionë irakianë janë vrarë, plagosur dhe kanë mbetur të pastrehë që nga 2003" - ishin ndër parullat më të shpeshta.

Megjithëse në mesin e protestuesve ka pasur grupime të ndryshme, një temë qe e përbashkët për të gjithë - zhgënjimi në rritje me presidentin amerikan, Barack Obama.

George, një nga protestuesit, thotë se është i papunë dhe nuk është aspak entuziast me Obaman, duke pasur parasysh premtimet e tij gjatë fushatës për një periudhë të re ndryshimesh.

"Mendoj se Obama do të vazhdojë të ruajë status quo-në. Nuk besoj se do të ndryshojë diçka apo se do të ndihmojë shumë prania e tij. Ndoshta ai ka synime pozitive, por ende janë të njëjtit njerëz pas presidentit amerikan. Presidenti ka vetëm një pushtet të kufizuar",
thotë George për REL.

Qëndrim të ngjashëm shpreh dhe Garry, një tjetër protestues në Londër.

"Ai është vetëm një njeri, pavarësisht sa i fuqishëm është. Një njeri nuk mund të ndryshojë gjithçka. Së paku jo në ditët tona", pohon Garry.

Por, protestat në Londër u kthyen në të dhunshme si pasojë e një grupi anarkistësh që sulmuan një nga ndërtesat e Royal Bank of Scotland. Një protestues humbi jetën, kurse 86 të tjerë janë arrestuar.

Grupe protestuesish u panë thuajse në të katër anët e Londrës në prag dhe gjatë takimit të G20-ës.

Thuajse tek të gjithë ekzistonte përshtypja se Obama kishte dështuar të ofronte ndryshimet e premtuara gjatë fushatës presidenciale.

Tony, protestues nga Holanda, nuk e fsheh zhgënjimin me presidentin amerikan.

"Deri tani nuk ka bërë ndonjë ndryshim themelor për të ndryshuar sistemin në krahasim me atë që ka qenë më parë. Ai po tërheq trupat nga Iraku, por po rrit praninë ushtarake në Afganistan dhe në Pakistan. Mendoj se kjo është një politikë shumë e rrezikshme", thotë protestuesi holandez për REL.
XS
SM
MD
LG