Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria dhe ICO nisin dialogun me serbët


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Me ndihmën e shefit të ICO-së, Pieter Faith, zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar sot (e premte) një takim me përfaqësuesit e komunitetit serb, ku u bisedua për zgjidhjen e problemeve të rrymës, dokumentacionit e të tjera.


Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare janë në përpjekje të vendosjes së një dialogu me komunitetin serb, në lidhje me zgjidhjen e disa çështjeve që e preokupojnë këtë komunitet.

Po ashtu, qëllimi i këtij dialogu thuhet se është integrimi i pakicës serbe, për faktin se pjesa dërmuese e këtij komuniteti vazhdon të jetojë mbi bazat e organizimit paralel kundruall institucioneve vendore.

Një takim i tillë me udhëheqësit e komunitetit serb është mbajtur edhe sot (e premte), ku kanë marrë pjesë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qëllimi i dialogut është që serbët të integrohen dhe ta ndjejnë vetën pjesë të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.

“Kemi bërë kontakte të herëpashershme edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb. Kjo ka rezultuar me angazhimin e tyre më të madh në institucionet e Kosovës. Por, duhet ta pranojmë një fakt që ende kanë një perceptim të ndryshëm për zhvillimet politike në Kosovë, do të thotë për statusin e Kosovës - një pjesë e tyre që është pengesë për integrimin dhe njëkohësisht një pjesë e tyre është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit, i cili po ashtu e pengon integrimin e tyre në jetën politike e institucionale”, thotë Kuçi.

Ndërkohë, Rangjel Nojkiq, një përfaqësues i serbëve të Kosovës, thotë se bisedimet ndërmjet serbëve dhe institucioneve të Kosovës ende po mbahen nën dyer të mbyllura dhe me modelimin e shefit të ICO-së, Pieter Feith.

Nojkiq thotë se të gjitha problemet edhe ashtu duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe pret që një formë e tillë të vazhdojë deri në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.

“Sot është bërë një hap pozitiv në kuptimin e zgjidhjes së problemeve të përditshme, siç janë problemet me rrymë, dokumentet, transporti, posta dhe funksionimi i institucioneve shëndetësore, kurse ditëve të ardhshme do të bisedohet edhe për shkollat”, thekson Nojkiq.

Sipas tij, edhe Qeveria e Kosovës, po ashtu edhe serbët, mund t’i lënë anash dallimet politike dhe të bisedojnë për problemet e përditshme, të cilat edhe ashtu në fund duhet zgjidhur përmes dialogut.

“Mendoj se ngadalë të gjithë po e kuptojnë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe tash kemi disa mesazhe pozitive edhe nga Beogradi, që problemet e përditshme të zgjidhen përmes bisedimeve me institucionet e Kosovës”, thotë Nojkiq.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ndikimi negativ i Beogradit te serbët në lidhje me pavarësinë e Kosovës, po e mban peng integrimin e këtij komuniteti. Ai i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presione Serbisë, që të pushojë me dekurajimin e serbëve që të jenë pjesë e institucioneve.

Mbi të gjitha duhet t’i heqin iluzionet që Kosova nuk e ka zgjidhur statusin dhe duhet ta ftojmë bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë presion politik mbi Beogradin, që të mos interferojë në punët e brendshme të Kosovës, aq më pak në financimin e strukturave paralele, apo në pengimin e serbëve për integrim në institucionet tona. Pra, ka nevojë që të punohet edhe brendapërbrenda Kosovës, por njëkohësisht edhe nga faktori ndërkombëtar me Beogradin”, thekson Kuçi.

Kohët e fundit, serbët kanë protestuar në disa raste në lidhje me ndërprerjen e rrymës, e cila u ishte ç’kyçur atyre për shkak të mospagesës me vite. Po ashtu, ata nuk i pranojnë dokumentet e Republikës së Kosovës dhe as tabelat e regjistrimit të makinave.

Të gjitha këto probleme, bashkë me ato që ndërlidhen me shëndetësinë dhe arsimin nëpër komuna, pritet të vazhdojnë të shtrohen në dialogun tashmë të filluar, deri në gjetjen e zgjidhjeve me të cilat do të pajtoheshin edhe institucionet e Kosovës, por edhe përfaqësuesit serbë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG