Ndërlidhjet

Papunësia dhe moszhvillimi ekonomik konsiderohen si faktorë që pengojnë kthimin e qëndrueshëm të të zhvendosurve. Shoqatat serbe për të zhvendosurit mendojnë se rritja ekonomike do t'i zbuste edhe tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Rritja ekonomike mund të ndihmojë kthimin e qëndrueshëm të të zhvendosurve. Me këtë konstatim pajtohen si përfaqësuesit e shqiptarëve, ashtu edhe ata të serbëve, nga radhët e të cilëve vije numri më i madh i të zhvendosurve.

Zyrtarë nga Ministria e Kthimit pohojnë se siguria apo çështjet politike nuk janë duke pasur më ndikim në kthim, siç kanë rrethanat ekonomike.

Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, shpjegon:

“Konstatim i përgjithshëm është se kthim të qëndrueshëm do të kishim atëherë kur ta kemi të zgjidhur çështjen ekonomike të të kthyerve. Procesi i kthimit më nuk vije në pyetje për çështje të sigurisë në shumë vende, mirëpo problemi i të kthyerve është përkujdesja ekonomike e tyre. Domethënë, nëse të kthyerve nuk mund t’u sigurojmë ndonjë vend pune, që gjeneron të ardhura, kjo stagnon edhe procesin e kthimit”, shprehet Hashani.

Numri i të kthyerve që kishin lënë Kosovën pas qershorit të 1999-ës, sipas Ministrisë së Kthimit, ka arritur në afër 19 mijë. Por, shumë nga ta nuk kanë krijuar stabilitet ekonomik.

Ata mbijetojnë nga ndihmat e dhuruara nga organizatat e ndryshme, përkujdesja sociale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por edhe nga paga minimale që e jep Qeveria e Serbisë. Problem mbetet mungesa e të ardhurave, që gjenerojnë çdo muaj.

“Aspekti ekonomik është thelbësor, jo vetëm për të kthyerit, por edhe për mbetjen e njerëzve që tash jetojnë në Kosovë. Nga të gjitha lokalitetet që i kemi vizituar, 23 sosh, problemi kryesor është se nuk ka të ardhura të rregullta në këto lokalitete. Shkalla e papunësisë është së tepërmi e lartë dhe kjo ndikon në standardin e jetesës së këtyre përfaqësuesve të komuniteteve dhe ka ndikim në kthimin potencial”, thotë Srgjan Seratliq, nga Asociacioni i Shoqatave të të Zhvendosurve “Unioni”.

Numri i të papunëve në Kosovë kalon shifrën prej 40 për qind, ndërsa edhe më e lartë është shkalla e varfërisë. Kjo, sipas zëvendësministrit Hashani, bën që Qeveria të mos ketë mundësi që të ofrojë vende pune enkas për të zhvendosurit serbë, megjithëqë vlerëson se zhvillimi ekonomik do ta integronte këtë komunitet.

“Një numër i të kthyerve më tepër ka një përkujdesje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, disa ndihma nga organizata humanitare, por Qeveria nuk ka mundur të zgjidhë këtë problem, meqë është një numër i madh i kërkuesve për punë në Kosovë. Po bëjmë përpjekje që përmes ndonjë projekti të vogël që gjeneron të ardhura, t’i përkrahim ata njerëz”, shprehet Hashani.

Projekte që gjenerojnë të ardhura thotë të ketë dorëzuar te mekanizmat vendimmarrës edhe asociacioni “Unioni”. Srgjan Seratliq vlerëson se një rritje eventuale ekonomike, madje do të zbuste edhe tensionet eventuale mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Nëse njerëzit janë të kënaqur me jetën dhe me standardin e jetesës dhe kanë të ardhura të rregullta mujore, kjo nënkupton një hap prapa ndonjë krize eventuale. Nëse ia dalim që të menaxhojmë dhe të kemi rritje ekonomike në qeverisjen lokale, do të mund të pengojmë ndonjë krizë në mes shumicës dhe pakicës”, thotë Seratliq.

Por, ata që e quajnë veten si përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, mendojnë se para një zhvillimi ekonomik, serbëve u duhet mbrojtje institucionale për të pasur kthim dhe integrim.

“Ekonomia është shumë e rëndësishme për integrim, por, para kësaj, duhet ndërtuar sistem institucional që i garanton të drejtat, pra mbrojtje institucionale për serbët”,
pohon Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb.

Ndryshe, viti i kaluar ka qenë më i dobëti sa i përket procesit të kthimit. Për shkak të shpalljes së pavarësisë, numri i serbëve të kthyer kishte rënë në vetëm 620. Por, Qeveria, mekanizmat ndërkombëtarë, por dhe vetë serbët, mendojnë se ka qenë sukses i madh që nuk ka pasur zhvendosje të reja gjatë vitit të pavarësisë.

Shumë patën shfaqur drojën se pas këtij akti do të pasonte eksod masiv i serbëve. Por, në vend të eksodit, në shtetin tashmë të pavarur të Kosovës, për këtë vit pritet kthimi edhe i qindra serbëve, shtëpitë dhe banesat e të cilëve janë duke u ndërtuar në disa lokalitete gjithandej Kosovës.
XS
SM
MD
LG