Ndërlidhjet

Obama mirëpret Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO


Barack Obama
Barack Obama

“SHBA mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO", tha presidenti Barack Obama.



Në Strasburg të Francës dhe Kehl të Gjermanisë janë duke u mbledhur liderët e shteteve anëtare të NATO-s, të cilët sot në darkë fillojnë samitin historik, në të cilin shënohet 60-vjetori i ekzistimit të Aleancës, por edhe pranimi i Republikës së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, me çka NATO-ja që në ditën e mërkurë kishte rritur numrin e anëtarëve të saj në 28.

Është ky samiti i parë në të cilin Shqipëria dhe Kroacia marrin pjesë si anëtare formale të NATO-s, ndërsa pritet që nesër në mëngjes presidenti amerikan, Barack Obama, edhe formalisht dhe në mënyrë ceremoniale, t’u dorëzojë kryetarëve të Shqipërisë dhe Kroacisë kartën e Atlantikut të Veriut.

Ndryshe, presidenti Obama, që sot në Strasburg në një fjalim, ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO, dhe i gëzohemi aq shumë edhe kthimit të Francës në strukturat e NATO-s”,
ka thënë presidenti amerikan, Obama.

Sa i përket Kroacisë dhe Shqipërisë, anëtarësimin e këtyre dy vendeve në NATO, Aleanca e sheh si rritje të stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por në tërë Evropën.

Strasburg
Shqipëria dhe Kroacia janë vende që kanë nisur para disa vitesh ecjen e tyre drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe që të dyja këto vende synojnë edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sa i përket Kosovës, pritet që ajo të jetë temë sonte, gjatë darkës së ministrave të jashtëm të NATO-s, mirëpo në atë takim nuk pritet ndonjë vendim. Vetëm do të diskutohet për aspektet e sigurisë në rajonin e Ballkanit – aspekt që ka ndryshuar dukshëm me praninë 10-vjeçare të NATO-s në Kosovë.

Nuk pritet të diskutohet kësaj radhe për zvogëlimin e trupave të NATO-s në Kosovë, por kjo mund të jetë temë për takimet e ardhshme pas këtij samiti, sepse ky samit do të jetë më shumë samit historik i shënimit të 60-vjetorit të NATO-s, vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe kthimit historik të Francës.

Sa i përket simbolikës së këtij samiti, nesër do të shënohet një ecje solemne e liderëve të 28 anëtarëve të NATO-s, nga Gjermania në Francë, duke kaluar mbi lumin Rhein – ura që i lidh këto dy shtete që dikur ishin në luftë.
XS
SM
MD
LG