Ndërlidhjet

“Shqipëria ndan fatin në NATO”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Asnjëra gazetë nuk ka mundur t’i shmanget samitit të NATO-s, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare e plotë e aleancës.

Ballinat e gazetave mbajnë tituj si “Erdhi Momenti Historik”, “Shqipëria ndan fatin në NATO”, “Gëzuar shqiptarë”, apo citojnë presidentin Barack Obama, i cili ka thënë se “Shqipëria e Kroacia forcojnë mbrojtjen evropiane”.

Ndërkohë, e përditshmja “Zëri” u ka hedhur një vështrim raporteve të tanishme në rajon, pas zgjerimit të fundit të NATO-s.

Shqipëria në paktin NATO, së bashku me Kroacinë, NATO në Kosovë me praninë e KFOR-it, Serbia në pozicionin e neutralitetit ushtarak, me një politikë refuzuese për inkuadrim në Paktin NATO – ky, sipas gazetës, është përshkrimi më i shkurtër i situatës aktuale në segmentin e sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit.

“Zëri” shkruan se po të ishte gjallë kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, me siguri se do të thoshte se një gjë e tillë është e pamundur, apo që ky përshkrim nuk është i vërtetë.

Tutje, gazeta shkruan se kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës dhe afrimi me Rusinë, bëri që Serbia të refuzojë procesin e anëtarësimit në Paktin NATO.

Tani ajo, të thuash nga të gjitha anët, është e rrethuar nga NATO, ndërsa kriza e madhe financiare e bën atë më të varur se kurrë nga Perëndimi.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale vazhdon të jetë ndër temat qendrore, me të cilat merret shtypi prishtinas.

“Koha Ditore” në numrin e sotëm shkruan se fati i zgjedhjeve lokale është ndarë përfundimisht nga ecuritë në zbatimin e procesit të decentralizimit, i cili po ngec për shkak të refuzimit të pjesëmarrjes së serbëve.

Sipas gazetës, Presidenca e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) kanë bërë të ditur se nuk shohin ndërvarësi të këtyre dy proceseve, edhe pse pakoja e presidentit Ahtisaari parasheh që deri në mbajtjen e zgjedhjeve komunale të finalizohen përgatitjet për funksionimin e komunave të reja.

Duke mbetur te e njëjta temë, por shikuar nga një këndvështrim tjetër, “Kosova sot” shkruan se është ndezur debati pas propozimit të liderit opozitar, Ramush Haradianj, që OSBE-ja të ketë një rol arbitrues në zgjedhje.

Kjo gazetë shkruan se PDK, LDK dhe AKR nuk mbështesin këtë ide. Ndërsa, Haradinaj mbetet pas këtij qëndrimi, meqë, siç ka thënë ai, tendencat e koalicionit qeverisës janë manipulimet.

Ndërkaq, për fund, disa thekse nga reagimet që kanë ardhur pas propozimit të LDK-së që autostrada Vërmicë-Merdare, që lidh Kosovën me Shqipërinë, të emërtohet “Ibrahim Rugova”.

Gazeta “Express” shkruan se ky propozim i LDK-së ka ngjallur reagime të partive politike, të cilat këtë nismë të LDK-së e kanë parë si marketing politik dhe përfitim në emër të njerëzve që tashmë nuk janë gjallë.

“Kosova sot” shkruan se zyrtarët e LDK-së janë të bindur se kjo ide nuk ka pse të kontestohet.
XS
SM
MD
LG