Ndërlidhjet

logo-print

Presidenti Bamir Topi ka takuar presidentin amerikan, Barak Obama, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë.



Ceremonia zyrtare e samitit të NATO-s në Baden Baden të Gjermanisë ka filluar mbrëmë rreth orës 19. Delegacionin shqiptar e ka kryesuar presidenti Bamir Topi. Në darkën e punës në delegacionin shqiptar pos Bamir Topit kanë qenë edhe ministrat Lulëzim Basha dhe Gazmend Oketa.

Rreth orës 20:30, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbajtur fjalën përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së samitit në Baden Baden. Angela Merkel ka përshëndetur dy anëtaret më të reja të NATO-s me këto fjalë: "Urojmë Shqipërinë dhe Kroacinë".

Pak më vonë, Bamir Topi ka takuar presidentin amerikan, Barak Obama, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë.

Presidenti Obama ka uruar Bamir Topin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se Shqipëria është partnere strategjike e Aleancës Veri-atlantike.

Gjatë darkës zyrtare, fjalën e ka marrë edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili ka falënderuar vendet anëtare të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në tranzicionin e vështirë.

"Ne nuk do të mund kurrë të arrinim këtu sot nëse nuk do të ndjenim në hapat tonë ndihmën, këshillën dhe miqësinë tuaj", ka thënë Topi.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka thënë se ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejmë euroatlantik.

"Prania e NATO-s është një instrument për të garantuar një Kosovë shumetnike, për të konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe për të ndihmuar me përvojë Forcën e sapokrijuar të Sigurisë së Kosovës. Mendoj se mbështetja e tendencave euroatlantike të Serbisë do të kontribuojë pozitivisht, duke ndaluar burimet e financimit dhe mbështetjes nga ana e Beogradit të strukturave paralele në Kosovë",
tha Topi para liderëve të vendeve anëtare të NATO-s.

Presidenti Topi ka shfaqur gatishmërinë e Shqipërisë që t'i bashkohet angazhimit të Aleancës ndaj politikave të reja dhe hapave që synojnë stabilizimin e Afganistanit, duke konfirmuar sërish faktin se Shqipëria do të shtojë trupat e saj në Afganistan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG