Ndërlidhjet

Obama u dorëzoi Traktatin Shqipërisë dhe Kroacisë


Liderët e NATO-s e kanë hapur ditën e dytë të samitit me rastin e 60 vjetorit të themelimit të aleancës.

Bisedimet filluan me një orë vonesë për shkak të përpjekjeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth emërimit të shefit të ri të NATO-s.

Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy tha para liderëve të 27 vendeve të NATO-s se Franca do po e vazhdon "rolin e plotë të saj në aleancën".

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama i dorëzoi Traktatin e Aleancës Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vendeve të reja anëtare.

"Dua t'ua drejtoj vërejtjet e mia drejtpërdrejt delegacioneve nga Shqipëria dhe Kroacia dhe udhëheqësve të tyre. Mirë se erdhët në NATO. Jemi shumë të emocionuar për pjesëmarrjen tuaj. Aleanca e Atlantikut është 60 vjet e vjetër, është masë për vitalitetin tonë dhe ne ende mirëpresim anëtarë të rinj", tha presidenti amerikan.

"Ashtu siç i mirëpritëm Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO, kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të kemi kremte të këtillë. Unë mezi e pres ditën kur edhe Maqedonia do të mund të mirëpritet në Aleancën", tha presidenti Obama.

Më herët, presidenti Barack Obama, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët tjerë të NATO-s, ecën në këmbë nëpër urën që i ndan Gjermaninë dhe Francën, duke simbolizuar unitetin e aleancës.
XS
SM
MD
LG