Ndërlidhjet

Obama: Një botë pa armë bërthamore


Presidenti Barack Obama gjatë fjalimit në Pragë, 5 prill 2009.
Presidenti Barack Obama gjatë fjalimit në Pragë, 5 prill 2009.

"Po deklaroj me qartësi dhe bindje angazhimin amerikan për të ndërtuar një botë në paqe, siguri dhe pa armë bërthamore", ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, gjatë qëndrimit në Pragë.



Nën tingujt e himnit amerikan dhe brohoritjes së mbi 30 mijë njerëzve, presidenti amerikan, Barack Obama, mbajti fjalimin e tij nën qiell të hapur përpara kështjellës presidenciale në Pragë.

Gjatë fjalimit, presidenti amerikan ka kërkuar eliminimin e armëve bërthamore.

"Sot, Lufta e Ftohtë nuk ekziston. Por, mijëra armë bërthamore të asaj kohe nuk janë zhdukur. Në një kthesë të çuditshme të historisë, kërcënimi nga një luftë bërthamore globale ka rënë ndjeshëm, por rreziku nga sulmet bërthamore është shtuar", tha Obama.

Presidenti amerikan theksoi detyrimin dhe përgjegjësitë që i takojnë SHBA-ve në përpjekjet globale për zhdukjen e armëve bërthamore.

"Si e vetmja fuqi bërthamore që i ka përdorur armët e këtij lloji, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi morale për të vepruar. Ne nuk mund të jemi të suksesshëm në këtë detyrë nëse jemi vetëm, por jemi të gatshëm ta nisim e ta drejtojmë këtë mision”.

“Sot po deklaroj me qartësi dhe bindje angazhimin amerikan për të ndërtuar një botë në paqe, siguri dhe pa armë bërthamore",
tha Obama.

Megjithatë, presidenti amerikan është i ndërgjegjshëm se kjo nuk është as detyrë e lehtë, as e arritshme në kohë të shkurtër.

"Nuk jam naiv. Ky qëllim nuk do të arrihet shpejt e ndoshta jo sa të jem gjallë. Një gjë e tillë do të marrë durim dhe vendosmëri. Por, aktualisht, ne duhet të injorojmë zërat që thonë se bota nuk mund të ndryshojë. Duhet të këmbëngulim se ‘Po, ne mundemi’",
tha Obama.

Me këtë rast, presidenti amerikan dënoi dhe lëshimin e raketës me rreze të gjatë veprimi nga ana e Koresë së Veriut.

"Tani është koha për një përgjigje të fortë ndërkombëtare dhe Koreja e Veriut duhet ta dijë se rruga e sigurisë dhe respektit asnjëherë nuk kalon nga kërcënimet dhe armët e paligjshme. Të gjitha vendet duhet të mblidhen së bashku për të ndërtuar një sistem global të fortë. Kjo është arsyeja përse duhet të jemi të bashkuar dhe të ushtrojmë presion ndaj Koresë së Veriut", tha Obama.

Përpara fjalimit në shesh të hapur, Obama është pritur nga homologu i tij çek, Vacllav Klaus, dhe zyrtarë të lartë çekë, me të cilët zhvilloi bisedime mbi raportet dypalëshe.

Presidenti Obama gjatë takimit me presidentin çek Vaclav Klaus dhe kryeministrin Mirek Topolanek.
Presidenti amerikan ka biseduar me zyrtarët çekë edhe për planet amerikane për të vendosur një pjesë të mbrojtjes anti-raketore në Poloni dhe Çeki.

Gjatë administratës Bush, Praga dhe Varshava ranë dakord që të lejojnë vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore amerikane, çfarë hasi në kundërshtim të ashpër nga Rusia.


Administrata Obama është treguar më e tërhequr nga këto plane.

"Republika Çeke dhe Polonia janë treguar kurajoze kur ranë dakord të pranojnë një pjesë të mbrojtjes raketore. Derisa ekziston kërcënimi nga Irani, ne do të ecim përpara me një sistem të mbrojtjes raketore, që ka kosto të arsyeshme dhe që efikasiteti është i provuar”.

“Nëse kërcënimi iranian eliminohet, ne do të kemi një bazë më të fuqishme për sigurinë tonë dhe ideja për ndërtimin e një pjese të mbrojtjes raketore në Evropë, do të tërhiqet", tha presidenti Obama.

Pas takimeve me zyrtarët çekë, presidenti Obama mori pjesë në samitin SHBA-BE në Pragë.

Ai i bëri thirrje BE-së që të përshpejtojë anëtarësimin e Turqisë.

Pjesëmarrësit në samitin SHBA-BE

"Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t'u qasen myslimanëve si miq, fqinjë dhe partnerë në luftën kundër padrejtësive, intolerancës e dhunës, duke ndërtuar marrëdhënie të bazuara në respektin dhe interesat e përbashkëta”.



“Çuarja përpara e anëtarësimit të Turqisë në BE do të ishte një sinjal i rëndësishëm për angazhimin tuaj dhe të sigurojmë se Turqia është plotësisht e lidhur me Evropën",
tha Obama.

Por, qëndrimi i Obamas hasi kundërshtimin e menjëhershëm të Francës.

Presidenti Sarkozy tha se Turqia i takon Azisë dhe jo Evropës. Një tjetër kundërshtare e Turqisë në BE, Gjermania, theksoi se lidhjet mes BE-së dhe Turqisë mbeten një çështje e hapur. Më i përmbajtur ka qenë qëndrimi i presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, lidhur me Turqinë.

Në takimin SHBA-BE u diskutuan dhe një mori problemesh të tjera.

"Ne diskutuam çështjen e energjisë si dhe nevojën që të trajtojmë problemin e ndryshimeve klimatike dhe ato të sigurisë energjitike. Ne duam të sigurojmë që SHBA-të dhe Evropa kanë larmi burimesh të furnizimit me energji", tha Obama pas takimit SHBA-BE.

Pas Çekisë, Turqia është ndalesa e radhës e presidentit amerikan.


Presidenti Obama në Pragë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00
XS
SM
MD
LG