Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE: Maqedonia zgjodhi presidentin


Gjorge Ivanov
Gjorge Ivanov

Maqedonia ka zgjedhur presidentin e ri të saj pasi është arritur të kalohet pragu i nevojshëm zgjedhor prej 40 për qind të daljes së qytetarëve në votime. Kjo u bë e ditur nga shtabi zgjedhor i kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.


“Nga të dhënat me të cilat disponon Shtabi Zgjedhor i VMRO-DPMNE-së mund të konfirmoj se është arritur të kalohet cenzusi prej 40 për qind”, deklaroi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Por, të dhënat e fundit të organizatës joqeveritare ”Most” janë se në zgjedhje, deri në orën 18, në votime kanë dalë diçka mbi 39 për qind, ndërsa të dhënat e fundit të KSHZ-së janë se në votime, deri në orën 17, kishin dalë 33.65 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandër Novakovski, tha se në përgjithësi procesi zgjedhor është zhvilluar në atmosferë paqësore.

“Vlerësimi im është se procesi i sotëm zgjedhor ka kaluar mirë, komisioniet zgjedhore komunale kanë bërë punën e tyre mirë dhe vërtet konsideroj se dita e sotme ishte demokratike”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Novakovski, duke njoftuar edhe për disa parregullsi të vogla në disa vendvotime, të cilat janë paraqitur edhe nga organizata joqeveritare “Most”, e cila kishte numrin më të madh të vëzhguesve në zgjedhje.

Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, për të cilin jozyrtarisht thuhet se ka fituar zgjedhjet, pasi kishte votuar në një nga qendrat e votimit në Shkup, tha se prioritet i tij pas zgjedhjes për president do të ishte përmbushja e agjendës për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

“Presim që me mbarimin e ditës së sotme të fillojnë të gjitha prioritetet e agjendës së këtij shteti, para së gjithash, zgjidhja e problemit të emrit, që e kemi kusht për euro-integrimet dhe hyrjen në NATO. Presim që qytetarët të jetojnë në mënyrë më dinjitoze dhe përfundimisht t’i japim fund një politike tranzicioni dhe politikanëve të tranzicionit, që me të vërtetë sollën shumë punë të këqija për shtetin. Maqedoninë e pret një periudhë e aktivizimit të të gjitha institucioneve për realizimin e qëllimeve tona strategjike”, ka dekalruar Gjorge Ivanov.

Ndërsa, nga shtabi i kundër-kandidatit të tij, Lubomir Fërçkoski, nga Lidhja Social-demokrate, thonë se zgjedhjet ishin pa dhunë, por jo edhe korrekte.

“Rrethi i dytë zgjedhor kaloi në një atmosferë relativisht të mirë, por kuptohet me vërejtjet konstante sikur edhe për rrethin e parë zgjedhor, se votimet nuk ishin fer, për shkak të frikës dhe metodave tjera që janë aplikuar nga ana e pushtetit mbi votuesit”, tha Gjuner Ismail, shef i shtabit zgjedhor të Fërçkoskit.

Dalja e shqiptarëve në votimet për president ka qenë fare simbolike, madje në disa komuna ajo nuk ka qenë më e lartë se 2 për qind, dhe kjo kishte vështirësuar në masë të madhe arritjen e cenzusit. Vetë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, duke votuar në një qendër votimi në Tetovë, tha se nuk kishte votuar për president shteti.

“Jo, mua nuk më interesoi asnjëri prej kandidatëve dhe është e drejta ime demokratike. Mendoj se do ta kryejmë me gjysmë suksesi edhe këtë obligim që e kemi drejt rrugës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, mendoj se problemet e vërteta dhe reale na presin pas këtyre zgjedhjeve. Deri tani kishim ushqim për qytetarët se zgjedhjet duhet të jenë fer, korrekte dhe demokratike, por tash e tutje ka shumë pyetje të rëndësishme, në të cilat duhet të përgjigjet qeveria dhe duhet të përgjigjen forcat politike se si do të shkojmë drejt NATO-s dhe BE-së”, tha Thaçi.

Përveç për zgjedhjen e preisdentit është votuar edhe për pushtetin lokal. Gara më e fuqishme është zhvilluar në Tetovë, Gostivar dhe në veçnati në Strugë, ku një kandidat shqiptar garoi me një kandidat të komunitetit maqedono-mysliman.
XS
SM
MD
LG