Ndërlidhjet

“EULEX-i bëhet plotësisht operacional”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Numrat e sotëm të gazetave sjellin njoftimin se pas katër muajsh të mbërritjes në Kosovë, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nga dita e sotme pritet të jetë plotësisht funksional dhe operacional.

E përditshmja “Zëri” shkruan se me rastin e deklarimit zyrtar të kapaciteteve të plota operative, udhëheqësit evropianë në Kosovë kanë paraparë një shënim solemn, ndërsa selia e EULEX-it nga sot do të jetë ish-ndërtesa e Farmedit në Prishtinë.

Kjo gazetë citon zyrtarë të këtij misioni të kenë thënë se deri më tani ka pasur një numër të sukseseve, të cilat janë arritur në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Ndërsa, e përditshmja tjetër “Express”, duke cituar zyrtarë të EULEX-it, shkruan se ky mision vlerëson se ka pasur të arritura edhe në lëmin e drejtësisë, fushë kjo që vlerësohet si më e brishta në Kosovë.

Këto të arritura, EULEX i mbështet, ndër të tjera, në faktin se vetëm për këta katër muaj, komponenti i drejtësisë i EULEX-it ka caktuar rreth 80 seanca dëgjimi.

“Koha Ditore” hap ballinën e saj me një shkrim që në fokus ka korrupsionin në institucionet publike.

Duke iu referuar raportit vjetor të Agjencisë Anti-korrupsion për vitin 2008, e përditshmja “Koha Ditore” thotë se korrupsioni është në nivel të lartë në të gjitha institucionet, në krye të të cilave qëndron Qeveria e Kosovës.

Natyra e korrupsionit është e larmishme, që nga marrja e ryshfetit, nënshkrimi i kontratave të dëmshme, përdorimi i autoritetit për kryerje të veprimeve të paligjshme etj.

Sipas kësaj gazete, vlera e përgjithshme e rasteve të dyshuara për korrupsion, sidomos në fushën e tenderëve, është mbi 3 milionë e 600 mijë euro.

“Koha Ditore” vë në pah se në mesin e të dyshuarve për korrupsion, janë të evidentuar persona zyrtarë dhe persona të lartë zyrtarë të institucioneve publike. Tutje, gazeta shkruan se në Qeveri janë raportuar 37 raste korruptive, ndërsa 33 raste të tilla janë evidentuar në gjykatat e Kosovës.

Edhe kësaj radhe, dyshimet më të mëdha për keqpërdorime shkojnë te ndërmarrjet publike, siç është Aeroporti, KEK-u, PTK-ja etj.

Nga hetimet e kryera nga Agjencia Anti-korrupsion rezulton se 113 zyrtarë dyshohen për korrupsion, për të cilët lëndët janë dërguar në prokurori.

Mosshënimi i hyrjes në NATO i Shqipërisë nga ana e Prishtinës zyrtare, ka ngjallur reagime në mediat kosovare.

Nën titullin “Shqiptarët në NATO, Kosova injoron festën”, e përditshmja “Kosova sot” shkruan se mungesa e manifestimeve konsiderohet nga të gjithë si një lëshim i madh, që s’duhej të kishte ndodhur.

Tutje, në editorialin e saj, kjo gazetë shkruan se pavarësisht se në Republikën tonë festohet për shumëçka dhe lista e festave është shumë e gjatë, kosovarët nuk festuan për ngjarjen që cilësohet si historike - hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Gazeta shkruan se asnjë justifikim nuk mund të nxirret nga institucionet tona, partitë apo shoqëria civile për dështimin e kësaj radhe. Hyrja e Shqipërisë në NATO e ka merituar një trajtim të denjë nga Prishtina zyrtare, përfundon “Kosova sot”.
XS
SM
MD
LG