Ndërlidhjet

Gjorge Ivanov - president i ri i Maqedonisë


Gjorge Ivanov

Gjorge Ivanov

Gjorge Ivanov është presidenti i ri i Maqedonisë nga radhët e partisë politike në pushtet - VMRO DPMNE, ka bërë të ditur, një orë pas mesnate, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, duke e vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe demokratik.


“Sipas rezultateve të para zyrtare, për presidentin e shtetit kanë votuar 42.86 për qind nga trupi i përgjithshëm elektoral. Me këtë është përmbushur dhe cenzusi për zgjedhjen e presidentit
”, ka thënë kryetari i KSHZ-së, Aeksandar Novakoski, duke shpallur fitues Gjorge Ivanovin, kandidatin e VMRO DPMNE-së.

Menjëherë pas kësaj, presidenti i ri i shtetit, Gjorge Ivanov, në një atmosferë festive, pasi ka falënderuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë për mbajtjen e zgjedhjeve në frymë demokratike, ka theksuar se do të angazhohet për një të ardhme evropiane për Maqedoninë.

Mbi 400 mijë votues, me votën e tyre më kanë obliguar për ndërtimin e një të ardhmeje evropiane - një të ardhme për Maqedoninë pa viza Shengen dhe një Maqedoni anëtare të NATO-s”, ka deklaruar Ivanov, duke shtuar se do të fokusohet që nga dita e parë e punës në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Me organizimin e zgjedhjeve me standard të lartë demokratik, ka fituar para së gjithash Maqedonia. Qytetarët e dhanë me sukses provimin demokratik”, tha kryeministri Nikolla Gruevski, duke shpallur fitore dhe në 54 komuna të Maqedonisë.

Rezultatin e zgjedhjeve e ka pranuar opozita maqedonase – Lidhja Social-demokrate.

“LSDM, si çdoherë, pranon vullnetin e shprehur të qytetarëve, por më duhet të theksoj se zgjedhjet ishin të qeta, por aspak demokratike, për shkak të presionit permanent të ushtruar nga partia në pushtet ndaj votuesve”, ka deklaruar kryetari i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Ndërkaq, në komunën me shumicë shqiptare, në Tetovë, në sheshin e qytetit fitoren e ka festuar kandidati i opozitës nga Partia Demokratike Shqiptare, Sadi Bexheti.

“Ia kthyet Tetovën tetovarëve. Merita ju takon juve, ngase ju sot mundët Qeverinë e Maqedonisë”, ka thënë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ndërkaq, kandidati i pavarur, Rufi Osmani, ka shënuar fitore të thellë në Komunën e Gostivarit.

Struga do të udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Ramiz Merko, ka bërë të ditur shefi i shtabit zgjedhor nga kjo parti, Gëzim Ostreni, duke shpallur fitore në më shumë komuna shqiptare: Çairi, Tearca , Bogovinë, Brvenica, Vrapçishti, Likova, Dibra, Zajazi, Osllomea, Pllasnica dhe Saraji.

Ndërkohë, pasi ka shpallur fitoren në Komunën e Haraçinës, Sulejman Rushiti, nga Demokracia e Re, tha se partia e tij si subjekt i ri politik ka kontribuar në instalimin e demokracisë në shoqërinë shqiptare.
XS
SM
MD
LG