Ndërlidhjet

logo-print

Hillary Clinton për Afganistanin

  • RFE /RL

Hillary Clinton, Pragë, 5 prill 2009

Hillary Clinton, Pragë, 5 prill 2009

Gjatë një vizite në selinë qendrore të Radios Evropa e Lirë në Pragë më 5 prill, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, i dha intervistë Radio Afganistanit të Lirë, ku ngriti shumë çështje, përfshirë edhe ligjin kundërthënës, mbi të drejtat e grave në Afganistan.


Duke u përgjigjur në pyetjet e dëgjuesve të Radio Afganistanit të Lirë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, shpreson se ligji i fundit kundërthënës në Afganistan, për të cilin thuhet se kufizon të drejtat e grave, do të shfuqizohet.

Gjatë një vizite në selinë qendrore të Radios Evropa e Lirë në Pragë më 5 prill, ku edhe është përgjigjur në pyetjet e dëgjuesve afganë, zonja Clinton ka shprehur përkushtimin për të drejtat e grave afgane dhe për vetë Afganistanin në përgjithësi.

Ligji kundërthënës, i cili ende nuk është bërë publik, thuhet të jetë nënshkruar nga preidenti Hamid Karzai.

Sekretarja amerikane e shtetit ka shprehur habinë e saj me miratimin e këtij ligji dhe ka thënë se shpreson që pas rishqyrtimit, të shfuqizohet në tërësi.

“Kam qenë shumë e shqetësuar sepse nuk mendoj se pasqyron vlerat e shumicës dërmuese të popullit të Afganistanit. Ky është një ligj, i cili me sa kam kuptuar, i është kushtuar një pakice brenda një pakice tjetër dhe imponon kufizime të rrepta mbi gratë dhe fëmijët”, ka thënë zonja Clinton.

Radio Afganistani i Lirë ka pranuar më shumë se 1,000 pyetje nga dëgjuesit për Hillary Clintonin dhe një nga shqetësimet kryesore që janë ngritur ishte çështja e viktimave civile që shkaktohen nga sulmet ajrore të forcave ndërkombëtare.

Zonja Clinton tha se ndjen keqardhje për çdo humbje jete dhe tha se “nëse ata që kryejnë këtë forme dhune ndalen – dhe kjo është ajo që ne kërkojmë – atëherë do të ndalej edhe çdo veprim ushtarak i Shteteteve të Bashkuara, aleatëve tanë dhe Armatës Kombëtare Afgane”.

"Shpresojmë se me këtë strategjinë e re e të presidentit Obama, do të jemi më të suksesshëm t’i bindim anëtarët e Talebanit, ekstremitstët tjerë që mund të mos jenë të përkushtuar 100 % në kauzën e tyre, t’i ribashkohen shoqërisë, të jenë pjesë e një Afganistani të ri”, tha zonja Clinton.

Korrupsioni ishte gjithashtu një nga temat e adresuara nga dëgjuesit. Një dëgjuese i ka thënë zonjës Clinton se nëse dëshiron ta zgjidhë konfliktin në Afganistan, ajo duhet të bisedojë me njerëzit e rëndomtë, veçanërisht femrat, sepse “80 për qind e qeverisë është e përbërë nga vrasësit, njerëzit e papërgjegjshëm, kontrabanduesit, tregtarë drogash dhe njerëz jo të ndershëm”.

Në këtë kuadër, zonja Clinton tha se administrata e re amerikane është e vetëdijshme për këtë çështje dhe ka ngritur tashmë shqetësimet e veta.

"Është një kancer. E gëlltitë besimin e popullit tek qeveria. Dhe ua kemi thënë këtë përfaqësuesve të qeverisë dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që mundemi për të punuar bashkërisht me popullin e Afganistanit për të eliminuar korrupsionin”, ka thënë sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton.

XS
SM
MD
LG