Ndërlidhjet

Barack Obama në Turqi


Presidenti Barack Obama mbërrin në Ankara, 5 prill 2009.
Presidenti Barack Obama mbërrin në Ankara, 5 prill 2009.
Presidenti amerikan, Barack Obama, pas ndalesave në Britani, Francë, Gjermani e Çeki, po e përmbyll turneun e tij të parë si president me vizitën dyditore në Turqi. Në Turqi, Obama do të fokusohet në një mori problemesh, përfshirë Irakun, Kaukazin dhe Iranin.

Obama synon të theksojë gatishmërinë e Ankarasë, që është fuqi rajonale, për të ndihmuar në zgjidhjen diplomatike të këtyre problemeve.

Uashingtoni kërkon nga Turqia, që së bashku me fqinjët e tjerë të Irakut, të krijojnë një mjedis të qetë nga ku do të mund të tërhiqeshin pa pasoja trupat amerikane.

SHBA-të duan ta shohin Turqinë si një kundërpërgjigje ndaj hapave të Rusisë në Kaukaz, e veçanërisht në Gjeorgji. Në Kaukaz, si Rusia dhe Turqia kanë interesa të mëdha energjetike.

Nga ana tjetër, Uashingtoni dëshiron të krijojë një hapësirë, në të cilën Turqia do të mund të ishte ndërmjetësuese me një mori vendesh si Siria e Izraeli, Afganistani apo Pakistani.

Analistët turq mendojnë se kryeministri Erdogan është shumë i gatshëm ta shndërrojë Turqinë në një fuqi të rëndësishme rajonale dhe është gati të bashkëpunojë me Obaman.

"Qeveria shpreson që ne të jemi palë që mund të ndërtojë një fuqi diplomatike në rajon. Dhe, përpjekjet nuk kanë munguar. Kujtojmë këtu ndërmjetësimin mes Izraelit e Sirisë, apo në përpjekjet për të këshilluar Hamasin që të heqë dorë nga metodat terroriste. Por, Qeveria turke nuk ka qenë në gjendje t'i përmbushë këto synime për disa arsye”.

Protesta kundër vizitës së Obamas në Turqi...
“Njëra lidhet me faktin se Qeveria turke e ndjeu se administrata Bush nuk ishte shumë e hapur ndaj idesë së bisedimeve më këta faktorë në Lindjen e Mesme. Në kohën kur Obama erdhi në pushtet, me një ton më pajtues, Turqia tha se kjo është pikërisht ajo që kishin pritur",
thotë për REL Mustafa Akijol, nga "Hurriet Daily News" në Stamboll.



Akijol shton se interesi i Turqisë për të përdorur mjete diplomatike në zgjidhjen e krizave përfshin dhe mosmarrëveshjet me Iranin rreth programeve bërthamore.

Megjithatë, bashkëpunimi i ngushtë i administratës Obama me Qeverinë Erdogan nuk është pa rreziqe, kur dihet se një pjesë e politikës, por dhe e shoqërisë turke, e shohin Erdoganin si popullist me bazë islamike.

Për të mënjanuar keqinterpretimet, Obama do të takohet dhe me partitë e opozitës turke, të cilat janë për një Turqi sekulare.

Madje, në një lëvizje të pangjarë më parë, presidenti amerikan do të takohet dhe me kreun e Partisë Kurde të Turqisë. Ky hap do të jetë një mbështetje për planet e Ankarasë që t'i japë më shumë të drejta kulturore pakicës kurde.

Të martën Obama, do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga OKB-ja në Stamboll, të njohur si Forumi i Aleancës së Qytetërimeve.

Ka nga ata që mendojnë se Obama do ta përdorë këtë forum për t'iu drejtuar botës myslimane. Por, shumë të tjerë besojnë se mesazhet e Obamas do të jenë të përgjithshme, sërish për shkak të ndarjes që ekziston në shoqërinë turke mes sekularistëve dhe atyre qe duan një rol më aktiv të islamit.

Lale Saribrahimoglu, nga e përditshmja "Today's Zaman", thotë se ushtria, mbrojtësja më e flaktë e sekularizmit në Turqi, nuk është dakord me paraqitjen e Turqisë si një vend model për botën islame.

"Politika e administratës Bush për të parë Turqinë si udhëheqëse të islamit të moderuar në botë, i pengonte një pjese të elitës turke të drejtuar nga ushtria. Hillary Clinton në media ka thënë se nuk do të jetë një politikë e tillë nën Obaman", sqaron gazetarja turke.

Megjithatë, bota myslimane do të jetë shumë e vëmendshme ndaj mesazheve të Obamas në Turqi, për të parë nëse ai do t’i ndjekë premtimet për një marrëdhënie më pak konfliktuale me botën myslimane.
XS
SM
MD
LG