Ndërlidhjet

Pritjet e serbëve të Kosovës nga GJND-ja


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Përfaqësues të serbëve të Kosovës presin që vendimi i GJND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të jetë në favor të shtetit serb. Ata thonë se cilido që të jetë vendimi i Gjykatës, ai do të ketë ndikim në statusin politik të Kosovës.


Disa politikanë serbë të Kosovës presin që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë t’i mbështesë argumentet e shtetit serb, dhe kështu çështja e statusit të Kosovës të mos marrë formë finale. Megjithatë, dyshimi se do të ndodhë e kundërta, mbetet i madh te ta.

Kreu i Bordit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, dyshon se vonesa në përfundimin e këtij procesi, mund të bëjë që vendimi të jetë i paracaktuar.

“Nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë vendimi, por shpresoj se do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në bazë të argumenteve që sigurisht edhe njëra, edhe tjetra palë, do të ofrojnë. Sigurisht se Serbia ka argumente të drejta dhe do të jetë vendim pozitiv - kjo është më tepër sesa e sigurt. Por, vetë vonesa flet se mund të ketë vendim tjetër, se mund të ketë diçka të parapërgatitur, ashtu që secila palë t’i interpretojë ashtu siç do përgjigjet asaj”, shprehet Veliq.

17 prilli është data e fundit, kur palët duhet të dorëzojnë argumentet e tyre në formë deklarate. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka thënë se kjo deklaratë do të jetë me qindra faqe, siç do jenë edhe anekset e saj, me të cilat synohet prezantimi i denjë i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkohë, çfarëdo që të jetë vendimi, sipas Dragan Veliqit, ai do të ketë ndikim në situatën në terren.

“Në secilin rast do të ketë ndikim domethënës. Para së gjithash, shtetet që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, ndoshta do të tërhiqen, sikurse edhe ato që kanë pasur ndërmend ta njohin Kosovën. Ndërsa, edhe numër i madh i vendeve që nuk duan ta njohin Kosovën, ndoshta do të kenë një argument shtesë për të mos e bërë këtë. Ky vendim nuk do të jetë obligativ, por shumë domethënës për vendimet politike të shteteve mbi statusin e Kosovës”, tha Veliq.

Të kundërtën e kanë deklaruar zyrtarë të institucioneve të Kosovës, të cilët kanë thënë se cilido që të jetë vendimi, ai nuk do ta ndryshojë më realitetin e krijuar në terren dhe nuk do ta kthejë mbrapsht pavarësinë e Kosovës.

Por, politikani tjetër serb, Rangjel Nojkiq, vlerëson se vendimi i Gjykatës gjithsesi se do t’i ketë ndikimet e veta.

“Mendoj se do të ndikojë dhe do të varet se në cilin moment dhe kur është gati Gjykata që të debatojë rreth çështjes së pranimit të pavarësisë së Kosovës. Më duket se kjo çështje po shtyhet pikërisht që të shihet se çfarë hapi do të ndërmerret në periudhën e ardhshme, se sa dhe kush do ta njohë Kosovën, ashtu që më duket se vendimi për këtë do të merret tek atëherë kur të shihet se cila është pikëpamja dhe sa është numri i vendeve që e njohin Kosovën”, tha Nojkiq.

Në anën tjetër, Serbia pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta marrë vendimin në vitin 2010 dhe që shpallja e pavarësisë të gjykohet e paligjshme. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës ka deklaruar se tashmë një numër i madh i shteteve mike të Kosovës kanë konfirmuar se do të depozitojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë deklarata në favor të shpalljes së pavarësisë.
XS
SM
MD
LG