Ndërlidhjet

logo-print

Sfidat e angazhimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor

  • RFE /RL

Logo e Komisionit të Helsinkit

Logo e Komisionit të Helsinkit

Një panel ekspertësh ndërkombëtarë i ka thënë Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, i njohur edhe si Komisioni Amerikan i Helsinkit, se SHBA-të duhet të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane.



Pjesëmarrësit kanë tërhequr vërejtjen se rajoni përballet me sfida të ndryshme, që mund të nxisin kthim prapa, nëse Shtetet e Bashkuara nuk angazhohen në tërësi me Bashkimin Evropian për një qasje të re ndihmash në këtë drejtim.

Në takimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit, bashkëkryesuesi i këtij komisioni, Alcee L. Hastings, tha se diskutimet kishin për synim të trajtonin sfidat e angazhimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kongresmeni Hastings, në këtë kuadër, tha se viteve të fundit, një rëndësi e veçantë i është kushtuar Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë, dhe Serbisë, e cila e ka kundërshtuar atë.

Alcee L. Hastings
“Kjo situatë, përfshirë këtu edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe Serbi, meriton një vëmendje të vazhdueshme”,
tha zoti Hastings. Ai ka ngritur edhe shqetësimet e tij për situatën e fundit në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ka përmendur edhe sfidat përballë Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë në përpjekjet e tyre për integrimet evropiane.

“Me administratën e re këtu në Uashington dhe Evropën e sotme, tani është koha për t’i hedhur edhe një vështrim Ballkanit Perëndimor, duke u dhënë një shtytje të re marrëdhënieve ndërkombëtare, që do të siguronin për një afat të gjatë kohor se nuk do të ketë kthim në të kaluarën”, tha zoti Hastings.

Dëshmitari i parë në këtë dëgjim ishte Lordi Paddy Ashdown, i cili tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet ta shfrytëzojnë shkopin e vetëm që mund të prodhojë rezultate, e ai është synimi për anëtarësim në bllokun evropian.

Diskutimet e tij, zoti Ashdown i përqendroi në Bosnjë, duke thënë se me gjithë thashethemet për shtimin e grupeve paramilitare, ai është i mendimit se Bosnja nuk është në rrezik të rrëshqitjes në konflikt. Paqja është e brishtë, pranoi zoti Ashdown, por, sipas tij, rreziku më i madh për këtë vend është shndërrimi i tij në një Qipro.

Paddy Ashdown
“E ndarë, jofunksionale, vrimë e zezë, me korrupsion të rrënjosur, një vend të cilin nuk guxojmë ta braktisim, sepse do të ishte shumë destabilizuese, por, njëkohësisht, nuk mund ta çojmë përpara as shtetësinë e plotë të Bosnjës. Ky mendoj se është rreziku më i madh”,
tha zoti Ashdown.



Duke folur, ndërkaq, për interesat e Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, zoti Ashdown tha se Moska nuk ka më interesa afatgjata në Ballkan, por ajo shfrytëzon elemente të vendeve ballkanike për të bllokuar Perëndimin në fusha të tjera.

“Ata e shfrytëzojnë Kosovën për interesa më të gjera të politikës ruse dhe kështu duhet ta kuptojmë këtë”, tha zoti Ashdown





Dëshmitari tjetër, Ivo Banac, ligjërues i historisë në Universitetin Yale dhe kryetar i Komisionit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Kroaci, tha se kur flitet për situatën në Kosovë, “shpesh e lavdërojmë vetveten pa e marrë parasysh fare se ka një pakënaqësi të konsiderueshme midis sovranitetit të kufizuar dhe faktit se ky vend akoma nuk është tërësisht i integruar. Dhe, kjo është një çështje që duhet adresuar”, tha zoti Banac.

Sipas tij, fakti se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën, është dëshmi që flet se urgjenca për të stabilizuar Ballkanin nuk është kuptuar në të gjitha kryeqytetet evropiane.

Zoti Banac ka kërkuar nga administrata e re amerikane të mos e injorojë Ballkanin vetëm nga fakti se ka probleme tjera më shqetësuese në botë.

Ivo Banac

"Një nismë e re diplomatike amerikane mendoj se është e nevojshme për stabilizimin e gjithë rajonit, e veçanërisht tri vendet më kritike – Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë”,
tha zoti Banac, duke bërë thirrje njëkohësisht për përpjekje të shtuara në promovimin e njohjes së Kosovës nga vendet evropiane.


James Lyon, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, tha se me përjashtim të Kosovës, që nga viti 2001, politika amerikane karshi pjesës më të madhe të Ballkanit Perëndimor, është lënë në duart e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ai është i mendimit se Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia dhe Serbia tashmë kanë mbetur prapa në procesin e integrimeve evropiane dhe se politika e joshjes duket sikur ka arritur fundin e saj.

“Kosova ka probleme serioze, duke filluar nga krimi i organizuar e deri tek korrupsioni, ekonomia jofunksionale dhe një shoqëri, struktura klanore e së cilës e bën tranzicionin e organizimit të një politike moderne të vështirë”.

James Lyon
“Natyra e kontestuar e pavarësisë së Kosovës, së bashku me praninë e de facto ndarjes dhe formulimeve midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, nënkuptojnë se beteja për statusin është duke vazhduar ende dhe lë në hije çështjet tjera”,
tha zoti Lyon, duke shtuar se mundësia e një shpërthimi të ri të dhunës ndëretnike dhe spastrimit etnik, është gjithmonë e pranishme në sfond.

Duke e paralajmëruar edhe mbajtjen e një takimi të dytë mbi këtë temë, debati përgjithësisht përfundoi me thirrjet drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të ripërtërijnë përkushtimin e tyre drejt Ballkanit Perëndimor dhe të artikulojnë një politikë të qartë për adresimin e çështjeve ende të pazgjidhura.

Komisioni amerikan i Helsinkit monitoron përmbushjen e standardeve të Marrëveshjes së Helsinkit dhe avancimin e sigurisë nëpërmjet të të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
XS
SM
MD
LG