Ndërlidhjet

Pack: Pakënaqësi me gjyqësorin dhe gjendjen në veri


Doris Pack
Doris Pack

Për një vit të pavarësisë, Kosova ka shënuar përparime, por këtij vendi do t’i duhet më shumë progres në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe reforma në gjyqësor, ka thënë euro-deputetja Doris Pack, në Prishtinë.


Në Kosovë janë arritur përparime për një vit të pavarësisë së saj, tha sot Doris Pack, kryesuese e një delegacioni të Parlamentit Evropian që po viziton Prishtinën.

E shoqëruar nga ky delegacion, Doris Pack ka takuar udhëheqësit kosovarë, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Doris Pack tha se kishte parë përparime që nga dita e pavarësisë e këndej, por ajo tha se donte t’u dërgonte edhe disa mesazhe institucioneve të Kosovës për një angazhim më të madh në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe përmirësimit të gjendjes në veri.

Një shqetësim tjetër, nënvizoi Pack, është edhe gjendja në drejtësinë kosovare.

“Avokati i Popullit është shumë i nevojshëm. Shpresojmë që Kuvendi t’ia dalë të marrë vendim për zgjedhjen e tij, sepse ka aq shumë probleme që duhet adresuar, përderisa gjyqësori në Kosovë ende nuk funksionin si duhet”, tha Doris Pack.

Ajo përshëndeti shtrirjen e EULEX-it, duke e vlerësuar këtë në interes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“EULEX-i është i nevojshëm për të përmirësuar strukturat demokratike të Kosovës, për ta përmirësuar drejtësinë, në mënyrë që t’i zgjidhë rastet që ende nuk janë zgjidhur nga UNMIK-u. Ka ende raste që duhet të zgjidhen”, theksoi Pack.
Në veri janë duke bashkëpunuar në mënyrë të çmendur grupe kriminale shqiptare dhe serbe.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen në pjesën veriore të Kosovës, ajo tha se në veri janë duke bashkëpunuar në mënyrë të çmendur grupe kriminale shqiptare dhe serbe.

“Ata po e përdorin veriun e Kosovës për të bërë gjëra të këqija”, u shpreh Pack.

Që këto dukuri të luftohen dhe parandalohen, Kosovës i duhet EULEX-i, theksoi ajo. Pack i ka bërë thirrje edhe Beogradit që t’i inkurajojë serbët të përfshihen në institucione dhe të marrin rolin e tyre sidomos në procesin e decentralizimit.

Mosintegrimi i serbëve, sipas saj, ka të bëjë me Beogradin, përderisa Prishtina, theksoi Pack, ka treguar vullnet të mirë që t’i përfshijë ata.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë thanë se ua kanë ritheksuar eurodeputetëve zotimin e tyre për të ndërtuar një Kosovë demokratike, e cila do të synonte të jetë e gatshme për integrime euroatlantike.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se përkushtimi i institucioneve është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë Kosovën si shtetin dhe vendin e tyre.

“Ne e themi gjithmonë se mbetemi të përkushtuar në zotimet tona që Kosova të jetë një vend i demokracisë, me vlerat më të mira të saj, një vend për të gjithë qytetarët, me kujdes të veçantë për minoritetet, dhe natyrisht një vend që do të nxitojë zhvillimet e saj në përmbushjen e kritereve për të qenë nesër anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Sejdiu.

Qeveria e Kosovës

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova po i afrohet Evropës dhe kjo, sipas tij, do të dëshmohet edhe me procesin e fizibilitetit, kur Komisioni Evropian do t’i studiojë përparimet në Kosovë, për të parë se ku ndodhet ky vend në procesin e integrimeve.



“Kosova është e zotuar të ecë përpara. Vitin e kaluar, ne pranuam raportin e progresit nga Komisioni Evropian. Sivjet do të kemi studimin e fizibilitetit. Qeveria do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin nga autoriteti i saj dhe për Kosovën do të ketë lajm të mirë në vjeshtën e këtij viti nga Brukseli dhe hapje të perspektivës evropiane. Pra, Kosova do të jetë edhe pjesë e NATO-s, edhe pjesë e Bashkimit Evropian”,
tha Thaçi.

Eurodeputetja Doris Pack ka takuar edhe ministra e deputetë kosovarë. Ajo i siguroi përfaqësuesit e institucioneve se Kosova mund të llogarisë te Parlamenti Evropian, duke i rikujtuar se ishte ky institucion ai që me shumicë votash pati përkrahur planin e Ahtisaarit, i cili sot është baza e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG