Ndërlidhjet

Obama inkurajon dialogun mes Turqisë e Armenisë


Presidenti amerikan Barack Obama tha se nuk i ka ndryshuar pikëpamjet mbi rezolutën, e cila i quan "gjenocid" vrasjet e armenëve nga turqit osmanë në vitin 1915, por nuk e shqiptoi fjalën "gjenocid".

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl në Ankara, Obama gjithashtu e lëvdoi pjesëmarrjen e shefit të shtetit turk në bisedimet ndërmjet Armenisë dhe Turqisë për "zgjidhjen e një varg çështjesh të vjetra".

Më herët në mauzoleun në Ankara, Obama i bëri nderime themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturkut.

Obama do t'i drejtohet parlamentit turk dhe do të takohet me kryeministrin Recep Tayyip Erdogan, ndërsa pasdite në Stamboll do të marrë pjesë në forumin ndërkombëtar, Aleanca e Qytetërimeve.

Të dielën në Çeki, Obama i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta pranojë Turqinë si anëtare të plotë.

Vërejtjet e tij u kundërshtuan nga presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili tha se mbetet kundërshtar i hyrjes së Turqisë në BE, si dhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha se anëtarësimi eventual i Turqisë në BE mbetet çështje e hapur.

Turqia është ndalesa e fundit e turneut të presidentit amerikan, Barack Obama në Evropë.

Administrata Obama i ka kushtuar rëndësi të veçantë rolit e ndikimit të Turqisë në zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet me Afganistanin dhe Iranin.
XS
SM
MD
LG