Ndërlidhjet

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka nisur punën me kapacitete të plota operative. Të paktën kështu bëri të ditur kreu i këtij misioni, Yves de Kermabon, i cili paralajmëroi se për të arritur sundim të plotë të ligjit në Kosovë, duhet kapërcyer sfida të mëdha.


Katër muaj pas fillimit të punës me kapacitete të pjesërishme, misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka njoftuar se nga sot është bërë plotësisht operativ. Por, ka thënë se ky është vetëm fillimi. Për të arritur synimin - sundimin e plotë të ligjit në Kosovë, është thënë se duhet edhe shumë punë.

“Kemi punuar shumë në arritjen e shtrirjes së EULEX-it; jemi shtrirë në tërë Kosovën. Ky është një operacion kompleks, që është arritur në bashkëpunim me OKB-në, KFOR-in dhe pa ndonjë incident madhor. Kjo është një arritje që nuk duhet nënvlerësuar”,
është shprehur kreu i këtij misioni, Yves de Kermabon, në një ceremoni që ka shënuar këtë deklarim zyrtar.

I pranishëm, përveç liderëve kosovarë dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, ka qenë edhe një delegacion i BE-së, që përfaqësonte 27 vendet anëtare. EULEX-i sot ka përuruar edhe objektin e tij të ri, që dikur i takonte “Farmed”-it.

Yves de Kermabon
Në këtë katërmujor të pranisë në Kosovë, kreu i EULEX-it ka përmendur disa punë, që ai i vlerëson si të arritura të misionit. Ndër to - funksionalizimi i komponentit të drejtësisë, i cili ka arritur që të caktojë 80 seanca dëgjimore dhe të rinisë punën në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, një vit pas trazirave të marsit.


Sukses është vlerësuar edhe vendosja e patrullave doganore në pikën 1 dhe 31 në veri të vendit, pas të cilit veprim, sipas Kermabon, është ulur ndjeshëm kontrabanda e derivateve.

“EULEX-i është misioni më kompleks që BE-ja ka pasur ndonjëherë. Me rreth 3 mijë persona, EULEX-i është më i madhi nga 9 misionet tjera civile, që BE-ja i udhëheq në botë. Ky është një investim i madh në rrugën e BE-së. Kjo është bërë për arsye se BE-ja është e përkushtuar për stabilitetin e rajonit dhe të së ardhmes rajonale në BE”, u shpreh Kermabon.

EULEX-i mbikëqyr fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave. Edhe sot, Kermabon ka përsëritur se Bashkimi Evropian nuk është në Kosovë që të ketë rol udhëheqës.

“Sundimi i ligjit është çelësi i arritjes së objektivave dhe ne në EULEX jemi gati ta kryejmë pjesën tonë. Por, më lejoni që të përsëris atë që kam thënë disa herë - rolin udhëheqës e kanë autoritetet vendore, ne vetëm monitorojmë, këshillojmë dhe udhëzojmë”, theksoi Kermabon.

Kosovarët, nga të paktat rezerva që kanë pasur mbi misionin evropian, kanë qenë ato të natyrës juridike. Ky mision nuk e ka të qartësuar kornizën ligjore, mbi bazë të së cilës vepron.

Ndërsa, në gjyqësi është thënë se mund të përdoren ligje të ndryshme, për të cilat vendos në mënyrë të pavarur gjykatësi përkatës i EULEX-it.

Pieter Feith

Përfaqësuesi tjetër i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, ka kujtuar se EULEX-i vazhdon mandatin nën ombrellën e 1244-shit dhe në pajtueshmëri me planin e veprimit, për të cilin qenë pajtuar 27 vendet anëtare te BE-së. Dhe, nën këto kushte ka arritur kapacitetet e plota.



Pieter Feith, që njëherësh është edhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, ka shfaqur edhe një shpresë.

“Shpresoj se ky mision mund ta kryejë mandatin në një formë aktive, pa ndonjë zgjatje burokratike të përvitshme, dhe të arrijë rezultate të hershme”, ka thënë Feith.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG