Ndërlidhjet

Humbjet e buxhetit nga korrupsioni


Në raportin vjetor të punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit për vitin 2008, thuhet se humbjet nga rastet e dyshuara për korrupsion, sidomos në fushën e tenderëve, arrijnë mbi 3 milionë e 600 mijë euro. Ndërsa, theksohet në raport, Qeveria, Gjykata, Pushteti Lokal dhe Parlamenti janë institucionet më të korruptuara në vend.

Hasan Preteni, drejtor i këtij institucioni, thotë se natyra e korrupsionit në Kosovë është e ndryshme.

“Natyra e veprimeve - prin shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe autorizimeve - këto janë 18 informata; lidhja e kontratës së dëmshme - 2 informata; përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare 14; marrja e ryshfetit 5; nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore 3; falsifikimi i dokumenteve zyrtare 11 informata. Në vitin raportues i kemi pranuar edhe 29 informata anonime që kanë rezultuar me 12 përcjellje në prokurori”, bëri të ditur Preteni.

Në raport thuhet se për veprimet e dyshuara korruptive ndaj personave zyrtarë, si dhe ndaj personave zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës, janë paraqitur ose hetuar 37 raste; ndërkaq, 33 raste të dyshuara në gjykata; në pushtetin lokal 26, kurse në Kuvendin e Kosovës si raste të korruptuara janë paraqitur vetëm dy.

Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm në masë të madhe në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare, thotë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Por, sipas tij, në ndërmarrjet publike ai është me i theksuar.

Hasan Preteni
“Korrupsion ka ku ka para publike. Fatkeqësisht, asnjë institucion, asnjë mekanizëm nuk duhet të mburret me atë që nuk kemi pranuar informata për korrupsion. Ndërmarrjet publike e kanë një specifikë të veçantë në atë që po shpenzojnë edhe mjete të buxhetit të Kosovës, por kanë edhe donacione të tjera indirekte në buxhet; kështu që po krijohet një vështirësi tek menaxhimi i këtyre rasteve
”, tha Preteni.

Në korrik të vitit të kaluar ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë të gjithë zyrtarët, thekson Preteni.

“14 zyrtarë kanë refuzuar edhe pas ndërmarrjes së masave administrative, gjobitjes për 20 % - kanë refuzuar t’i kryejnë aktivitetet. Nga institucionet ku janë të punësuar ata, ne kemi kërkuar që ata të përjashtohen. Nuk kemi informata kthyese se një gjë e tillë ka ndodhur. 31 zyrtarë gjatë vitit të kaluar kanë qenë të sanksionuar me 20 % të pagës; 17 janë disiplinuar”, tha Preteni.

Lidhur me raportin e publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen, me arsyetimin se në një kohë të caktuar vetë kryeministri do të flasë për ketë çështje.

Sido që të jetë, strategjia e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit në Kosovë mbështetet në tri shtylla kryesore, të cilat ndihmojnë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga Ligji kundër korrupsionit: në arritjen e zbatimit të ligjit, parandalimin ose eliminimin e shkaqeve të korrupsionit, si dhe edukimin e zyrtarëve të administratës publike dhe qytetareve mbi kornizën ligjore dhe mekanizmat aktualë anti- korrupsion.
XS
SM
MD
LG