Ndërlidhjet

Raporti i fundit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë vlerëson se gjykatat e Kosovës ende hasin në vështirësi gjatë adresimit të kontesteve të të drejtave pronësore, posaçërisht kontesteve mbi pronësinë e pronave të paluajtshme.


Shumëllojshmëria e ligjeve që aplikohen në Kosovë në kontestet mbi çështjet pronësore, me theks të veçantë në ato të pronësinë mbi pronat e paluajtshme, vështirëson punën e gjykatave në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Kështu thuhet, ndër të tjera, në raportin e fundit të publikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, me titull “Shqyrtimi i Rasteve të Pronësisë mbi Pronën e Paluajtshme”- dokument ky që analizon punën e gjykatave në Kosovë gjatë pesë vjetëve të fundit.

Analistja ligjore për monitorimin e sistemit ligjor në OSBE, Emily Peterson, sqaron një pjesë të problematikës që lind gjatë procedimit të rasteve pronësore në gjykatat civile në Kosovë.

“Ligjet, të cilat zbatohen nga gjykatat sot, datojnë nga koha e Jugosllavisë, nga periudha para vitit 1989, pastaj rregulloret e UNMIK-ut, si dhe rregullore të tjera administrative dhe të tjera. Pra, korniza ligjore është shumë diverse”, thotë Peterson.

Raporti po ashtu nënvizon disa probleme të tjera, të cilat OSBE-ja i ka vërejtur gjatë vlerësimit të rasteve pronësore nga sistemi ligjor. Kështu thuhet se në paditë për vendosjen e pronësisë mbi pronën e paluajtshme, gjykatat shpesh njohin transferimin e pronësisë, ndonëse nuk paraqitet ndonjë kontratë me shkrim.

Për të shmangur kërkesën e kontratës së shkruar, gjykatat shpesh aplikojnë doktrinën e parashkrimit fitues, me të cilin një individ mund të fitojë pronësinë përmes vërtetimit të posedimit për një periudhë të caktuar kohore në kushte të caktuara - vlerësohet në raport.

Mirëpo, avokatja Lirije Osmani thotë se edhe kontratat verbale janë të vlefshme.

“Pas vitit ’74, ligji ka qenë imperativ. Çdo kontratë për të prodhuar efekt juridik, është dashur të vërtetohet nënshkrimi i palëve kontraktuese në gjykatë. Mirëpo, mund të aprovohet kërkesë-padia për vërtetimin e pronës edhe në rastet kur palët kanë bërë kontrata verbale”, shprehet Osmani.

Sipas Osmanit, nuk duhet me doemos të ekzistojë kontrata me shkrim, po qe se plotësohen kushtet me Ligjin mbi marrëdhëniet pronësoro-juridike, e që, sipas saj, janë: që transferi i pronës të bëhet me mirëbesim, që shfrytëzimi i pronës të jetë më shumë se 20-vjeçar, që të jetë paguar çmimi kontraktues dhe që pala të ketë hyrë në procedim.

Osmani thekson se nuk janë të pakta rastet kur mashtrohen dhe gjykatat.

“Ka raste të rralla kur, për shembull, mungon pronari i vërtetë, i cili mund të mos jetë i vërtetuar në librat kadastralë dhe ndodh që dikush shet pronën e huaj. Ka pasur raste kur janë bërë autorizime false, të cilat janë vërtetuar në gjykata të tjera”, sqaron ajo.

Bazuar në monitorimin e gjykatave nga OSBE-ja, raporti po ashtu konstaton se korniza normative që mbulon të drejtat ndaj pronës së paluajtshme, është e ndërlikuar, shpesh e hartuar në mënyrë të paqartë dhe e shpërndarë nëpër instrumente të ndryshme, duke ndikuar negativisht në aftësinë e gjykatave që të trajtojnë kontestet pronësore në mënyrë të drejtë dhe efektive.
XS
SM
MD
LG