Ndërlidhjet

logo-print

Obama: SHBA nuk janë në luftë me Islamin


Presidenti Barack Obama tha se ai nuk dëshiron që marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane të definohen nga lufta kundër Al Kaedas.

Në fjalimin në Parlamentin e Turqisë, Obama pranoi se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe botës myslimane kanë qenë të shtrënguara, por insistoi se "Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Islamin".

"Dua gjithashtu të jem i qartë se marrëdhëniet e Amerikës me komunitetin mysliman, botën myslimane, nuk mundet dhe nuk do të bazohen vetëm në kundërshtimin tonë ndaj terrorizmit. Ne synojmë angazhim më të gjerë bazuar në interesin e ndërsjellë dhe respektin e ndërsjellë. Ne do të dëgjojmë me kujdes, do t'i kapërcejmë mosmarrëveshjet dhe do të kërkojmë pika të përbashkëta", tha presidenti amerikan.

Obama i bëri thirrje Turqisë t'i shpejtojë reformat liberale për të sjellë vendin mysliman në Bashkimin Evropian.

Lidhur me bisedimet paqësore ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, presidenti amerikan tha se bota nuk do të duhej të bjerë në "pesimizëm dhe mosbesim" përkundër sfidave.

Obama gjithashtu tha se Irani duhet të zgjedhë ndërmjet zotërimit të armës bërthamore dhe ndërtimit të së ardhmes më të mirë për popullin e vet.

Më herët, Obama e lëvdoi pjesëmarrjen e presidentit Abdullah Gyl në negociatat ndërmjet Armenisë dhe Turqisë për "zgjidhjen e një varg çështjeve të vjetra".

Pas Ankarasë, Obama udhëtoi në Stamboll ku pritej të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar të organizuar nga Kombet e Bashkuara për kapërcimin e ndarjeve ndërmjet botës Islame dhe Perëndimit. Por korrespondenti i Radios Evropa e Lirë tha se në vend të kësaj, presidenti amerikan do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët me studentët e universitetit.
.
XS
SM
MD
LG