Ndërlidhjet

“Italia propozon samit BE-Ballkan-SHBA”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian mbetet temë qendrore në mediat e shkruara të Prishtinës. Kësaj radhe, “Koha Ditore” sjell një propozim të kryediplomatit italian.

Në këtë plan tetëpikësh të Franko Fratinit, kërkohet që të ndihmohet Republika e Kosovës, ndërsa propozohet që në mesin e vitit 2010 të zhvillohet një takim i kryetarëve të shteteve apo qeverive të BE-së dhe të Ballkanit me pjesëmarrje të presidentit amerikan.

“Koha Ditore” citon burime diplomatike në Bruksel të kenë mbetur të befasuar me interesin që administrata e re e SHBA-së po tregon për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, duke mbetur te Ballkani, e përditshmja “Zëri” sjell në pah dallimet që ekzistojnë mes shteteve të mëdha evropiane në lidhje me integrimin e Ballkanit. Kjo gazetë shkruan se derisa Roma është e shqetësuar me telashet në Ballkan, Berlini dhe Parisi mbesin të fokusuar në forcimin e BE-së.

“Forcimi i BE-së, sipas diplomacisë gjermane dhe franceze, duhet të ndodhë një herë, ashtu që pastaj Brukseli të merret intensivisht me Ballkanin Perëndimor, megjithëse, me një kujdes të shtuar sa i përket zgjerimit, për shkak të përvojave të këqija me Bullgarinë dhe Rumaninë”, shkruan “Zëri”.

Ndërkohë, po sipas kësaj gazete, diplomacia italiane është e shqetësuar se lënia prapa e Ballkanit mund të sjellë telashe të mëdha.

Shtypi i sotëm merret edhe me suspendimin e disa zyrtarëve civilë pas publikimit të raportit të djeshëm nga ana e Agjencisë Anti-Korrupsion, ku u vu në pah se 113 zyrtarë dyshoheshin për korrupsion.

E përditshmja “Express” shkruan se publikimit të këtij raporti, kryeministri iu përgjigj menjëherë me suspendimin e 6 zyrtarëve nga Ministria e Shërbimeve Publike, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë.

Në të njëjtën frymë, “Epoka e re” mban titullin “Preteni akuzon, Thaçi i suspendon”. Ndërsa, këtë veprim të Qeverisë, “Infopress” e sheh si vazhdim të luftës kundër korrupsionit.

Një këndvështrim tjetër në lidhje me këta hapa sjell e përditshmja “Kosova sot”, e cila shkruan se këto suspendime nuk janë tjetër veçse performanca të përkohshme.

Kjo gazetë shkruan se në Kosovë po vazhdon historia e korrupsionit abstrakt dhe se paraqitjet e Hasan Pretenit para medieve nuk sjellin më asgjë të re, me përjashtim të së “përgjithshmes”.

Agjencia, që supozohet se bën transparente veprimet abuzive me pushtetin, i mban të fshehta të tëra, ndërsa ajo që i servilet publikut në konferenca për gazetarë janë ca informata të vobekta, ca statistika të paqarta dhe asgjë tjetër, shkruan “Kosova sot”.

Kjo gazetë nënvizon se nëse nuk zbardhen emrat dhe nuk ndëshkohen të korruptuarit, nuk mund të flitet për sukses.

Ndërkohë, një tjetër temë që trajton e përditshmja “Koha ditore” ka të bëjë me investimet në Kosovë, përkatësisht një fushatë kundër investimeve.

Bëhet fjalë për kompaninë Norway Inevst, e cila ka aktivizuar një ueb-faqe, e cila thërret kompanitë që të mos investojnë në Kosovë, duke e paraqitur vendin si të rrezikshëm për investime.

Sipas “Kohës ditore”, kjo fushatë e iniciuar nga kompania norvegjeze është menduar si kundërpërgjigje ndaj asaj që ajo e quan humbje të miliona eurove nga një shkëputje e kontratës që kishte bërë Posta dhe Telekomi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG